Policia e Kosovës i ka reaguar të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, lidhur me dërgimin e pajisjeve logjistike dhe kontejnerëve në Bërnjak, duke thënë se ata janë dërguar për ofrim të sigurisë dhe zbatimit të ligjit.
Në reagimin e policisë thuhet se e ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, këtë veprim e ka interpretuar në mënyrë politike-tendencioze, duke e shtrembëruar realitetin për kinse veprime me qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë.
Policia nëpërmejt një reagimi sqaron se në zbatim të “Ligjit për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror” si dhe në përkrahje dhe mbështetje të personelit policorë me hapësira pune e pajisje logjistike, sot ka bërë dërgimin e pajisjeve logjistike dhe kontejnerëve në Bërnjak.
Sipas Policisë, këto pajisje do t’iu shërbejnë zyrtarëve policorë të policisë kufitare për kryerjen e detyrave policore, në interes të ofrimit të sigurisë për qytetarët dhe realizimin e detyrave të tyre ligjore.
“Zyrtarët policorë për mbikëqyrje të vijës së gjelbër në këtë zonë, kanë pasur mungesë të hapësirës dhe kushteve të punës, ky dërgim i pajisjeve logjistike dhe kontejnerëve, do t’iu krijojë hapësira dhe kushte më të mira për punë, do të rrisë efikasitetin në përmbushjen e detyrave dhe parandalimin e kontrabandës. Në vazhdën e luftimit të aktiviteteve kriminale-kontrabandës ditë më parë janë ndërmarrë veprime konkrete në mbyllje të disa rrugëve ilegale që shërbenin për kontrabandë. Këto veprime që kanë të vetmin qëllim ofrimin e kushteve më të mira të punës për zyrtarët policorë të kufirit dhe luftimin e dukurive antiligjore-kontrabandës, nga e ashtuquajtura Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, është interpretuar në mënyrë politike-tendencioze duke e shtrembëruar realitetin për kinse veprime me qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë, e që në fakt këto veprime janë realizuar për ofrim të sigurisë dhe zbatimit të ligjit. Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj në realizimin e detyrave policore në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë së përgjithshme”.