Policia e Kosovës ka njoftuar se me qëllim të parandalimit dhe luftimit të veprave të kundërligjshme dhe kontrabandës në pikat kufitare, ka intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në terren.
Të hënën është pranuar një informacion se nga fshati Debëlldeh i Vitisë, janë duke lëvizur disa automjete të dyshuara. Dyshohej se kishte të ngarkuar mallra të kontrabanduara të sjella nga Maqedonia Veriore përmes rrugëve ilegale, në ndërkohë që dy automjete të tjera kanë bërë përcjelljen e saj.
Si rezultat i veprimeve të marra, njësitë policore kanë arritur që ta ndalojnë automjetin e dyshuar me targa vendore me drejtues të dyshuarin mashkull kosovar, me ç’rast gjatë kontrollimit janë gjetur një sasi e konsiderueshme e medikamenteve të llojeve të ndryshme.
Prokurori ka urdhëruar që personi i dyshuar të ndalohet për 48 orë, ndërsa malli i kontrabanduar të dërgohet në terminalin doganor.