UBT News

​Policia dhe Dogana i gjejnë kokainë në veturë, arrestohet i dyshuari

Policia dhe Dogana e Kosovës pas një plani të përbashkët operacional kanë arrestuar një person të dyshuar për narkotikë.

Policia e Kosovës njofton se njësitë nga Policia Kufitare, Njësia K9 dhe Njësia Antikontrabandë nga Dogana e Kosovës në kuadër të implementimit të planit të përbashkët operacional, pas kontrollit të detajuar, në automjetin e të dyshuarit kanë gjetur substancë narkotike e llojit kokainë.

“Policia e Kosovës, respektivisht njësitë nga Policia Kufitare, Njësia K9 dhe Njësia Antikontrabandë nga Dogana e Kosovës në kuadër të implementimit të planit të përbashkët operacional “EU4FOCAL-ACTION DAYS” pas kryerjes së procedurave për regjistrimin e personit L.H (1987) nga Prishtina në automjetin e tij me targa vendore, është selektuar për kontrollë në vijën e dytë”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, pas selektimit për kontroll më të detajuar, gjatë kontrollit në automjetin e të dyshuarit të lartcekur është gjetur substancë narkotike e llojit “kokainë”, po ashtu është kryer kontrolli trupor i të dyshuarit me ç‘rast i është gjetur në trup një sasi e vogël e substancës së njëjtë të cilat pas peshimit së bashku kanë rezultuar gjithsej 101.82 gram.

“Lidhur me rastin është njoftuar njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotik në Prizren dhe Forenzikës të cilët pasi kanë dal në vendin e ngjarjes, me ç’rast nga i dyshuari janë sekuestruar si prova materiale dëshmitë si në vijim: Një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë 101 gram, një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë 0.82 gram, një telefon mobil dhe vetura me targa vendore”, thuhet në njoftim.

Policia njofton se pas njoftimit të Prokurorit të Shtetit janë pranuar udhëzime që të bëhet bastisje tek shtëpia e të dyshuarit, me ç’rast gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë: tri peshore digjitale dhe tri pako me folie.

Exit mobile version