Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se vazhdojnë të jenë të bllokuara dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak.
Tutje, policia njofton se pas bllokimit të rrugëve në Veri të Mitrovicës, në katër raste ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore si dhe në një rast është dëgjuar të ketë ndodhur një detonim. Fatmirësisht nuk raportohet për ndonjë qytetar apo zyrtar policorë të plagosur nga arma e zjarrit.
“Dy pikat kufitare Jarinje dhe Bernjak vazhdojnë të mbesin të mbyllura për qarkullim, për shkak të vazhdimit të bllokimit të rrugëve në drejtim të këtyre dy pikë kalimeve kufitare, të cilat janë bërë me mjete të rënda nga persona/grupe të organizuara kriminale”, thuhet në njoftim.
Policia gjithashtu ka bërë të ditur se vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve që posedojnë dokument personal identifikimi të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të cilët paraqiten për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës, ka filluar të zbatohet në nivel vendi.
Barrikada, të shtëna armësh e reagime të shumta – e gjitha çfarë ndodhi dje në veri të Kosovës lidhur me reciprocitetin për targat dhe letërnjoftimet
Sipas njoftimit policia ka bërë të ditur se nga informacionet zyrtare konfirmojnë se dje, më 31.07.2022 pas bllokimit të rrugëve në Veri të Mitrovicës, në katër raste ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore si dhe në një rast është dëgjuar të ketë ndodhur një detonim. Fatmirësisht nuk raportohet për ndonjë qytetar apo zyrtar policorë të plagosur nga arma e zjarrit.
“Deri më tani janë raportuar katër raste ku qytetarët shqiptarë të cilët kanë qarkulluar në atë pjesë janë ndaluar dhe maltretuar, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre, nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës ka theksuar të gjitha veprimet e mëtejme do ti ndërmerre në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, dhe se sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore po vazhdon angazhimet e saj në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, zbatimin e vendimeve të institucioneve të RKS-së, si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në Veri të Mitrovicës.