Bashkia e Pogradecit dhe ajo e Wismar, në Gjermani, synojnë zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe kulturës, në kuadër të Marrëveshjes së Binjakëzimit që ekziston mes bashkive të dy qyteteve.
Kryetari i bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli priti në një takim zyrtar, kryetarin e bashkisë Wismar, Thomas Beyer, me të cilin rikonfirmuan fushat e bashkëpunimit kryesisht në fushën e turizmit, kulturës, rinisë, trashëgimisë kulturore, historike e natyrore, raporton atsh.
Dy kryebashkiakët u zotuan fort që të rritet intensiteti i bashkëpunimit dhe aktiviteteve të përbashkëta sidomos në fushën e sporteve dhe rinisë.
Pogradeci dhe Wismari janë dy qytete pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO dhe si të tilla do të bashkëpunojnë edhe më shumë në zhvillimin e mëtejshëm të turizmit duke shkëmbyer eksperienca dhe modele serioze.
Xhakolli dhe Beyer bënë një prezantim të zgjeruar të qyteteve respektive në mënyrë që në vijimësi të rritet edhe më shumë numri i vizitorëve gjermanë në Pogradec e anasjelltas.
Në fund të takimit u konkludua që së shpejti gjithçka që u diskutua, të jetësohet me projekte konkrete.