Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Grupit për Studime Juridike dhe Politike dhe organizatës GAIA për shtyrjen e ekzekutimit të lejes ujore për Hidrocentralin Brezovica, deri në vendosjen meritore.
Pas këtij vendimi, Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike ka mbajtur një konferencë për media, ku e ka quajtur si një hap pozitiv aprovimin e kërkesës së tyre, teksa ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të marrë masa të menjëhershme për hidrocentralet.
Alba Dushi nga Qendra për raste Gjyqësore Strategjike, tha se ky vendim është shumë pozitiv. Ajo tha se kërkesa e tyre ka ardhur si rezultat i shkeljeve që janë bërë lidhur me këtë hidrocentral, e që siç tha ajo, është përjashtuar publiku nga vendimmarrja.
“Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike sapo ka pranuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin është aprovuar kërkesa e GLSP dhe GAIA për të shtyrë ekzekutimin e Lejes Ujore për Hidrocentralin Brezovica deri në vendosjen meritore të çështjes. Është një hap shumë pozitiv për qytetarët e Kosovës sepse natyra na takon të gjithëve ta mbrojmë dhe të kujdesemi për të dhe nuk do të lejojmë që për interesa private kjo të degradohet”, tha ajo.
Kurse Mevlude Skuroshi nga GAIA tha se ky është një hap shumë i vogël por që jep sinjale pozitive. Ajo ndër tjera pati një kërkesë ndaj qeverisë Kurti.
“Jemi të vetëdijshëm që ky është një hap shumë i vogël në një proces shumë të gjatë, por është i mirëpritur. Me këtë rast, i bëjmë thirrje qeverisë së re bashkë me Ministrinë e Mjedisit, me marrë masa të menjëhershme për çështjen e hidrocentraleve, dhe i bëjmë thirrje për me marrë përgjegjësi dhe mos me leju që të marrin përgjegjësi dhe të mos lejojnë projekte të tilla, të cilat i kërcënojnë zonat e veçanta, ujin pijshëm dhe ujin për ujitje”, tha ajo.
Më 25 mars 2021, organizatat paditëse kanë pranuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin është aprovuar kërkesa për shtyrje të ekzekutimit të Lejes Ujore për HC Brezovica, duke vlerësuar se “paditësit/propozuesit kanë ofruar argumente të besueshme, foto të dëmtimit të natyrës, raporte të organizatave të ndryshme lidhur me ndërtimin e hidrocentralit, të cilat vërtetojnë faktin se ekzekutimi i vendimeve do t’i sillte dëm banorëve të pjesëve në të cilën parashihet të operojnë këto hidorcentrale, dëm ky i cili vështirë do të riparohej”.