Përfaqësues të Shoqatës HANDIKOS kanë kritikuar punën e komisionit vlerësues mjekësor për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Ata kanë biseduar me Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, ku kanë thënë që duhet të ndërrohet komisioni vlerësues dhe shtohen kapacitetet e tij. Ndërsa përfaqësues nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve kanë deklaruar se janë duke punuar që të thjeshtësohen procedurat dhe të ketë vetëm një vlerësim.
Drejtori i HANDIKOS, Afrim Maliqi ka thënë se dhjetëra personave u është përgjysmuar pensioni dhe hequr e drejta për kujdestarë për shkak të rivlerësimeve që u janë bërë.
“Deri para një viti, sipas informatave që kemi nga departamenti i pensioneve kanë qenë diku rreth 3 mijë e 100 persona të vlerësuar ne status të paralegjikut dhe tetraplegjikut, si në grupin e parë ashtu edhe në grupin e dytë. Ndërsa vitin e kaluar kemi informata nga departamenti i pensioneve se diku ka rënë numri në 2 e 500 persona, andaj shtrohet çështja se ku kanë mbetur ata 500 apo 600 persona. Ne kemi informata për shkak se punojmë për njerëz, jemi në shërbim të tyre, bëjmë edhen ankesa, u ndihmojmë me i zhvillu ankesat që i parashtrojnë në komisionin për ankesa ku rreth 25 persona u është mohuar kjo e drejtë e që në fakt këta pesë vite më herët kanë qenë në grupin e parë ndërsa pas pesë vitesh kur është bërë rivlerësimi u është mohuar e drejta kanë dalë në grupin e dytë”, ka thënë Maliqi.
Ai ka bërë të ditur se komisioni i parë para të cilët paraqiten personat me aftësi të kufizuar përbëhet nga pesë mjekë specialistë në Neurologji të QKUK-së.
Nga aty ata drejtohen të komisioni vlerësues mjekësor, që sipas Maliqit, nuk i merr për bazë rekomandimet e mjekësve.
“Jo vetëm në bazë të ligjit për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjikë por edhe në bazë të ligjeve të tjera të cilët u përkasin personave me aftësi të kufizuara nuk përmendet askund rivlerësimi, vetëm në rregullore përmendet, andaj shtrohet edhe këtu çështja, ku mund të jetë më e fuqishëm rregullorja sesa ligji, për shkak se gjendja e një personi me aftësi të kufizuar veç mundet me u vështirësua e me u përkeqësua e nuk mundet me u përmirësua”, ka shtuar Maliqi.
Komisioni Vlerësues Mjekësor është i themeluar sipas Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik, për të cilin Maliqi ka thënë se duhet të ndërrohet dhe t’i shtohen kapacitetet.
“Krejt kjo pasojë e një komisioni, e një komisioni shëndetësor, komision shëndetësor i cili fare nuk u kushton kohë, komision shëndetësor i cili unë sot them para jush ndoshta më lehtë është të ndërrosh një ministër apo qeveri sesa një komision. Komisioni duhet të ndërrohet, komisioni duhet t’i ngritë kapacitetet, komisioni duhet të ketë njohuri për pasojat dhe komplikimet, komisioni duhet t’i kontrollojë, madje edhe t’i zhveshë personat e t’i kontrollojë. Pse nuk i kontrolloni në këtë formë, pse nuk i vlerësoni në këtë mënyrë, mos e shihni personin pse ne po rrimë para jush po dukemi mirë, jemi veshur mirë, tretë mund të kemi probleme me inkontinencë, duhet të vlerësohen sipas ligjit dhe rregullores”, deklaroi ai.
Ndërsa, Elmi Fazliu nga HANDIKOS ka kritikuar punën e komisionit, duke thënë se të njëjtit nuk i kontrollojnë fare personat me aftësi të kufizuara ose e bëjnë atë në një mënyrë të padrejtë.
“Kur hyjmë ne në komision nuk merret parasysh hiç vendimi që është marrë prej pesë doktorëve, këta vendosin ën mënyrë të pavarur, këta nuk e marrin për bazë këtë. Kur kam qenë në komision më kanë thënë ‘përshëndetje, kush je ti’, ‘Elmi Fazliu’, ‘të kemi parë një herë në televizor më thanë’, edhe më thanë në rregull është mundesh me shku. Krejt procedura ka qenë 30 sekonda, kam vazhdu pastaj ka ndodhur refuzimi nuk vazhdohet… Në vendimin e parë për shembull miratohet, shumë është 370 euro ndërsa grupi i dytë është që i takon 150 euro”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se shumë persona nuk mund t’i ndjekin procedurat ligjore për shkak të kostos së lartë, si dhe periudhës së gjatë kohore.
Por Anita Vranjolli, udhëheqëse e divizionit mjekësor në MFPT, ka thënë se problemi është te ligji, duke shtuar se komisioni kryen punë profesionale.
“Komisioni vlerësues është shumë profesional, mirëpo komisioni bën vlerësimin në bazë të këtij ligji, a është ligji i mirë, ne dimë që nuk është i mirë… Duet të ndrisim si çështje shumë serioze të ndryshohet ky ligj,. Në bazë të këtij ligji, 05/L-67, ne këtu i kemi vetëm dy diagnoza, kemi paraplegjikë dhe tetraplegjikë”, ka thënë ajo.
Ndërsa, Enis Spahiu, zëvendëssekretar në Ministrinë e Financave ka thënë se janë duke punuare që të thjeshtësohen procedurat, duke pranuar që ato janë burokratike.
“Janë disa pengesa të natyrës ligjore ato nuk mund t’i kalojmë pa ndryshim të ligjit, të rregullores po. Pajtohemi që procesi është burokratik dhe nuk ka më shumë qysh bëhet burokratik këtë ketë dy vlerësime të pavarura dhe në fund të ditës të ketë kundërthënie mes dy vlerësimeve është e papranueshme, ne jemi në lëvizje të thjeshtësimit të procedurave dhe eventualisht të kemi një vlerësim dhe atë me mundësi të vizitave mobile nëpër shtëpi të këtyre personave me aftësi të kufizuar. Problemi kryesor ka qenë që këta njerëz nuk na kanë raportuar neve vazhdimit kemi kërkuar që vendimet të jenë të arsyetuara”, ka thënë ai.
Ndërsa kryetarja e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje ka thënë se duhet të ndryshohet rregullorja në mënyrë që personat me aftësi të kufizuara të mos paraqiten në dy komisione për vlerësim.
“Pse i kemi bërë në dy komisione, nëse komisioni i parë nuk ka vlerë, personi me aftësi të kufizuar duhet me shku në QKUK në raportin e Neurologjisë, pse kemi bërë dy, nëse vlerësimi i parë nuk ka vlerë. E ndryshojmë rregulloren. Është edhe emocionalisht e vështirë. Këtu sa më shpejtë duhet me ndryshu nëse është puna e rregullores”, ka thënë Balje.