Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Përparim Rama i është përgjigjur kundërkandidatit të tij nga Vetëvendosje, Arben Vitia pasi ky i fundi përmes një videoje ka thumbuar atë duke thënë me ironi se do ta rrënoj stadiumin “Fadil Vokrri e Pallatin e Rinisë.
Rama akuzoi Vitinë se po prezanton copëza të kopjuara nga projektet e tij. Ai e ftoi Vitinë që të bëjë garë me projekte e jo me kopje e hajgare.
“Jemi duke parë prej kundërkandidatit copëza të kopjuara prej projekteve të programit tonë, e të kthyera në video të shtrenjta për të mashtruar qytetarët. Flet për një fushë të gjelbëruar pa përkrahje infrastrukturore, duke e zhdukur edhe një prej parkingjeve kyçe të qytetit. Një ndeshje futbolli do të krijonte kaos në këtë zonë dhe do t’ua vështirësonte edhe tifozëve qarkullimin të cilët nuk do të kenë as vend për t’i parkuar makinat e tyre. Kjo dëshmon edhe një herë që pushteti aktual si deri më tani as nuk veprojë e as nuk përmendi parkun qendror, u kujtua për këtë vetëm pasi u planifikua dhe u prezantua nga ne. Kjo po ashtu dëshmon se kundërkandidati im përveç që nuk ka njohuri për të krijuar një plan konkret për kryeqytetin nuk do të ishte as i aftë për të realizuar ato[…]E ftoj z.Vitia të bëjë garë me plane konkrete dhe projekte serioze, e jo me kopje e me hajgare”, tha ai në konferencë për medie.
I pyetur rreth asaj se a ka pasur ndonjë sinjal nga ndonjë parti politike se do ta mbështesë në balotazh, Rama tha se një sinjal të tillë e ka parë nga ana e qytetarëve. Ai tha se projekti i tij për Prishtinën është për të gjithë qytetarët pa dallime partiake.
“Jemi të hapur normal, plani ynë është i hapur edhe nëse ka mundësi për ndryshim apo përmirësim, atëherë do të jemi të hapur për diskutim. Mirëpo, projekti jonë është për të gjithë”, tha ai.
Ndërkohë që në konferencën e kësaj të mërkure, Rama tha prezantoi projektin për platformën e gjelbër që do ta ndërlidhte lagjen Arbëria me Pallatin e Rinisë e sheshin Zahir Pajaziti. Rama tha se projekti i tillë kushton 350 milionë euro.
Rama u shpreh se projekti i ridefinimit të qendrës së qytetit do të lehtësojë jetën e qytetarëve të Prishtinës dhe qasjen më të lehtë të tyre në qendër të Prishtinës, duke shtuar edhe se pjesë e projektit është edhe ndërtimi i sallës koncertale dhe parkingut nëntokësor.
“Projekti ynë i ridefinimit të qendrës parasheh ndërtimin e platformës së gjelbër e cila e ndërlidh Pallatin e Rinisë përmbi rrugën kryesore e deri tek lagjja Arbëria. Po në këtë zonë do të ndërtojnë edhe sallën koncertale i cili është objekt jetik për komunitetin artistik dhe për kryeqytetin, por edhe për gjithë banorët e Prishtinës e të Kosovës. Për fundi platformës së gjelbër ndërlidhëse do të ndërtohet edhe parking nëntokësor si një pikë kyçe që lidh qendrën e qytetit e i cili vjen në shërbim edhe Pallatit të Rinisë edhe stadiumit edhe sallës koncertale. Vec këtyre, platforma e Pallatit të Rinisë do të ndërlidhet edhe me platformën e Grandit në anën tjetër”, tha ai.
Ky projekt, Rama tha se do të mundësojë lëvizjen e lirshme të këmbësorëve, si dhe të transportit alternativ pa u penguar nga trafiku.