UBT News

​Përmes protestës kërkohet tërheqja e 30 për qind të Trustit

Dhjetëra punëtorë të KEK-ut protestuan sot me kërkesën për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve pensionale nga Trusti.

Me pankartat, “Trusti është i joni, jo i qeverisë”, “Unë të votova ty, ti voto Trustin”, protestuesit kërkuan nga deputetët t’i japin dritë të gjelbër tërheqjes së Trustit.

Kryetari i Sindikatës së KEK-ut, Nexhat Lluminca, tha se gjendja ekonomike në Kosovë është e vështirë, andaj imponohet kërkesa për tërheqjen e kursimeve pensionale.

“Prandaj kërkojmë kursimet tona, jo pse kemi dëshirë, por pasi nuk na dëgjojnë ne jemi të imponuar të kërkojmë kursimet tona për të jetuar në ditë të vështira. Ne e shohim papunësinë jashtëzakonisht të madhe në Kosovë, ikjen e qytetarëve nga ky vend, s’ka investime në këtë vend, por bëhen investime në vendet e ndryshme me paratë tona. Besa, kohëve të fundit i kemi diku 200 milionë euro humbje nga Trusti”, tha ai.

Pjesëmarrës në këtë protestë ishte edhe kryetari i Këshillit Drejtues të BSPK-së, Ali Gashi, i cili shprehu mbështetje për kërkesat e protestuesve.

“E përkrahim fuqishëm kërkesën e juaj për tërheqjen e Trustit, kjo është kërkesë edhe e gjithë shërbyesve civil. Andaj i bëjmë apel Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit që mos të na bllokojnë paret tona. Në fund të fundit ato janë mjetet tona dhe është absurde që për mjetet tona të vendos dikush tjetër”, tha ai.

Ndërkohë, deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, i cili ka iniciuar këtë projektligj, ftoi gjithë deputetët e tjerë të mbështesin këtë nismë.

“Kjo qeveri duhet të reflektojë për të aprovuar kërkesat e qytetarëve. Nuk ka qeveri me legjitimitet qytetarë nëse është kundër kërkesave të qytetarëve. Kemi iniciuar Projektligjin për trustin me kërkesën tuaj për të përballur krizën ekonomike, pasi s’ka pas asnjë masë nga qeveria”, theksoi ai.

Projektligji që mundëson tërheqjen e Trustit është në rend të ditës në seancën e sotme plenare, por e njëjta është ndërprerë për shkak të aksionit opozitar në Kuvend dhe protestës së veteranëve të UÇK-së. Protestuesit shprehën mbështetjen edhe për protestën e veteranëve të UÇK-së.

Exit mobile version