UBT News

​Përkujtohet gjeneral major Shaban Shala, kritikohen institucionet

Familjarë, miq e bashkëluftëtarë kanë bërë të martën homazhe pranë varrit të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), gjeneralit Shaban Shala, në përkujtim të 9-vjetorit të vdekjes së tij.

Të pranishmit adresuan kritika për institucionet e Kosovës, për shkak të gjendjes aktuale në të cilën ndodhet varri i Shaban Shalës.

Agron Krasniqi, vëllai i luftëtarit Brahim Krasniqi, tha se Shaban Shala është një nga figurat më të shquara të dekadave të fundit, porse edhe në 9-vjetorin e vdekjes së tij, institucionet e vendit nuk i kanë rregulluar varrin. Ai shtoi se do të ishte e ndershme që përfaqësues të institucioneve të merrnin pjesë së paku në homazhe për të nderuar jetën dhe veprën e gjeneralit.

“Të vijmë pas 9 vitesh dhe të gjejmë varrin e gjeneral majorit në këtë gjendje, turp është për mua, turp është për institucionet tona shtetërore. Duke e njohur gjeneral major Shaban Shalën, ndonjëherë i bëj pyetje vetes dhe them se ‘a mos dikush e paska dashur të vdekur apo edhe i vdekur po i pengon dikujt, pse nuk është i rregulluar kështu varri i tij’. Unë nuk e kisha menduar asnjëherë se ndonjë nga prijësit e luftës së UÇK-së, për një grusht vota të shkojë dhe të vizitojë familje të ndryshme e mos të shkojë të vizitojë familjen e Shaban Shalës, sidomos në këto ditë kur e përkujtojmë”, tha ai.

Bashkëveprimtari Berat Luzha tha se Shaban Shala me luftën e tij dhe kontributin e pashoq në çështjen kombëtare, e ka treguar veten në piedestalin më të lartë të atdheut.

“Shabani ishte një nga personalitet më të larta të Kosovës, i cili ka qenë i devotshëm në çështjen kombëtare, një atdhetar shumë i përkushtuar për çështje dhe i sprovuar në të gjitha format në luftë për liri. Ai edhe si luftëtar ilegal, edhe si i burgosur politik, edhe si luftëtar i lirisë, e ka treguar veten në piedestalin më të lartë të atdheut dhe meriton respektin dhe nderimin tonë”, tha Luzha.

Në emër të familjes Shala, të pranishmëve iu drejtua Elmi Shala, i cili shprehu mirënjohje për nderimet që iu bënë vëllait të tij

“Inshalla viteve të ardhshme jemi më të organizuar, nderojmë më mirë dhe siç duhet të gjithë ata që kanë dëshmuar veten dhe kanë sakrifikuar për lirinë e sotit”, u shpreh ai.

Exit mobile version