Në 5-vjetorin e vdekjes së aktivistit Astrit Dehari, sot janë paraparë të mbahen aktivitete të ndryshme për të përkujtuar jetën dhe veprën e tij.
Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje bëjnë homazhe te varri i Astrit Deharit, pastaj të gjithë aktivistët, anëtarët dhe simpatizantët e Lëvizjes, por dhe të gjithë qytetarët, janë ftuar të ndezin nga 5 qirinj në ballkonet e shtëpive/banesave të tyre në përkujtim të jetës dhe veprës së aktivistit Astrit Dehari në ora 20:00.
Astrit Dehari ishte arrestuar bashkë me 5 aktivistë të Vetëvendosjes, si i dyshuar për sulm terrorist në Kuvendin e Kosovës.
Ishte mesnata e pesë gushit të vitit 2016. Në ato momente një motor, në të cilin besohet se ishin dy persona, u ndal pranë Kuvendit të Kosovës. Njëri nga ta, nxori një raketëhedhës dore, dhe me të godit ndërtesën e Parlamentit.
E menjëherë, forca të mëdha të strukturave të sigurisë dolën në skenën e krimit, ndërsa gjithë kjo ngjarje u cilësua si akt terrorist.
Motori që u përdor gjatë kryerjes së këtij sulmi pak qaste më vonë, u gjet i djegur afër pishinës së Gërmisë.
Ndërsa nën direktivat e Prokurorisë Speciale, drejtoria antiterror e policisë nisi hetimet për të zbardhur këtë rast.
Hetimet e para i quan zyrtarët policor në drejtim të disa aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, që atë kohë kundërshtonte ashpër demarkacionin e kufirit me Malin e Zi e Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
25 ditë pas sulmit mbi Kuvendin, Drejtoria kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës, të asistuar edhe nga njësitet elite organizuan një operacion për kapjen e të dyshuarve.
Ky operacion i organeve të sigurisë, qoj në arrestimin e 6 aktivistëve të Vetëvendosjes.
Në pranga përfunduan Frashër Krasniqi, Petrit Ademi, Adea Batush, Atdhe Arifi e Egzon Haliti.
Në mesin e të arrestuarve ishte edhe Astrit Dehari, çështja e të cilit do të shndërrohej në një nga rastet më enigmatike që kanë ndodhur ndonjëherë në Kosovë.
Të gjithë të arrestuarit me vendim gjykate përfunduan në paraburgim, me përjashtim të Petrit Ademit, çështja e të cilit u mbyll ndërkohë, pasi që nuk kishte prova se ishte i implikuar në këtë rast.
Prokuroria po vazhdonte hetimet, ndërsa të dyshuarit po qëndronin nën masën e paraburgimit në qendra të ndryshme.
Astrit Dehari ishte dërguar në qendrën e Paraburgimit në Prizren. Ai qëndroi aty deri me 5 nëntor të viti 2016, pasi kur erdhi koha për shëtitje në drekë, Astrit Dehari, kishte vendosur të mos dilte nga aty. Qelia e tij, u kyç nën masat e parapara të sigurisë nga gardiani i kësaj qendre.
E këtu ishin edhe momentet e fundit të jetës së tij. Saktësisht në orën 15:53 minuta shokët e qelisë së Astrit Deharit u kthyen nga koha e lirë.
Kur e hapen derën ata e gjetën Deharin në momentet e fundit të jetës së tij me një shishe mjalti në gojë. U alarmuan edhe mjekët.
E shpejtë në gjendje të rëndë, u nis për t’u dërguar në emergjencë. Pak më vonë doli konstatimi që tashmë aktivisti i Vetëvendosjes, kishte ndërruar jetë.
E që nga ky moment nisi edhe një prej historive më të mistershme që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë.