UBT News

​Përkujtohen të rënët e Luftës së Parë Botërore në Kosovë dhe Ballkan

Me organizimin e ambasadës së Gjermanisë dhe Francës, sot në varrezat e krishterëve në Arbëri, u mbajt ceremonia e 104 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, me ç ‘rast u përkujtuan të gjithë të rënët e kësaj lufte në Kosovë dhe Ballkan.

Në ceremoninë ushtarake ishin të pranishëm ambasadori gjerman, Jörn Rohde dhe ambasadori francez, Olivier Guérot.

Ambasadori Guérot në këtë ceremoni përkujtimore deklaroi se Kosova dhe Serbia duhet ta ndjekin shembullin e Gjermanisë dhe Francës, për t’u pajtuar dhe për të vazhduar bashkëpunimin në të ardhmen.

“Vendi i këtyre varreve para të cilit jemi mbledhur sot dëshmon se ushtarët francezë që luftuan gjithë këto vite në Ballkan, ranë në Kosovë ndoshta në fund të luftës , në vjeshtën e vitit 1918, përkrahë ushtarëve aleatë të Mbretërisë së Serbisë. Ky homazh na mundëson gjithashtu të vlerësojmë rrugën e përkushtuar që nga ajo kohë. Duke u përkushtuar me vendosmëri në rrugën e pajtimit, Franca dhe Gjermania kanë mundur të gjejnë rrugën e vëllazërisë dhe paqes. Lidhjet tona, miqësia jonë e thellë, kanë bërë të mundur krijimin e një Evrope të re të ndërtuar mbi një themel të ambicieve të përbashkëta. Një Evropë e fortë, e lirë dhe e pavarur, e përkushtuar ndaj solidaritetit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, tha ai.

Ai tregoi se çka ka arritur Gjermania dhe Franca mund të jetë frymëzim për rajonin. Guérot tha se edhe pse ka qenë i gjatë dhe i vështirë dialogu është e domosdoshme për të mirën e vendit. Sipas tij, kjo është rruga që duhet ta ndjekin Kosova dhe Serbia.

“Ajo që ka arritur Gjermania dhe Franca mund të jetë burim frymëzimi për të gjithë rajonin. Dialogu, edhe pse i gjatë dhe i vështirë, është një domosdoshmëri që duhet të zhvillohet në një frymë konstruktive dhe të hapur. Kjo është rruga që Kosova dhe Serbia, shqiptarët dhe serbët duhet ta ndjekin tani për të arritur pajtimin dhe për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët…18 ushtarë francezë humbën jetën gjatë shërbimit në KFOR. Dëshiroj të ndërlidh përkujtimin për ta me ceremoninë tonë. Duhet shikuar nga e ardhmja, në vend që të rikthehen demonët e vjetër dhe ideologjitë manipuluese që çuan në luftë në të kaluarën dhe që pretendojnë të justifikojnë agresionin rus në Ukrainë”, u shpreh ai.

Kurse ambasadori gjermanJörn Rohde tha se pasojat e luftës kanë qenë të tmerrshme, ai tregoi se 9 milionë ushtarë dhe 17 milionë njerëz humbën jetën. Pas katastrofës së luftës ai përmendi dhe muajin nëntor si ditë feste ku u formuar historia e marrëdhënieve franko-gjermane, Rohde e konsideron si arritje historike ku Gjermania dhe Franca janë bërë miq dhe aleatë.

“Pasojat humanitare të asaj lufte të tmerrshme ishin shkatërruese, më shumë se 9 milionë ushtarë humbën jetën, për të mos folur për miliona viktima civile në të gjithë kontinentin, që arritën një numër të përgjithshëm prej 17 milionë njerëz të vdekur. Zonja dhe zotërinj, është e rëndësishme të mbani mend, është e rëndësishme të përkujtoni sepse historia përsëritet, prandaj jemi këtu sot. Lufta Botërore shpesh përmendet si katastrofa e parë e shekullit 21, dhe me të drejtë nuk duhet ta harrojmë kurrë dhe nuk do ta harrojmë kurrë. Por me gjithë zinë dhe pikëllimin që jemi mbledhur sot këtu, 11 Nëntori është gjithashtu një ditë feste, historia e marrëdhënieve franko-gjermane ka qenë e vështirë për shekuj me radhë, e karakterizuar nga frika, luftëra të pafundme dhe vdekje të panumërta që datojnë nga viti 1918. Por sot, gjermanët dhe francezët po mblidhen këtu jo vetëm si aleatët më të afërt, por tani të dy vendet dhe popujt tanë janë bërë miq dhe aleatë. Kjo arritje historike është një kryevepër e diplomacisë dhe me të vërtetë pajtimi mahnit edhe sot, por edhe ndjen krenari dhe shpresë”, tha ai.

Gjithashtu ai tha se miqësia franko-gjermane është histori suksesi, ku sipas tij është shembulli më i mirë për mundësinë e pajtimit të dy vendeve armike duke lënë të kaluarën anash për ardhmërinë e vendit.

“Miqësia franko-gjermane është një histori suksesi unik historik, tregon se pajtimi është i mundur edhe mes ish-armiqve, dëshmon se konfliktet e së kaluarës mund të kapërcehen nëse ka vullnet të mjaftueshëm politik. Shpresoj se mund të shërbejë gjithashtu si shembull për pajtimin në Ballkanin Perëndimor, ka shumë aksione në Evropë këto ditë, pushtimi i tmerrshëm i Rusisë në Ukrainë dhe mendimi empireal pas tij na tregon brutalisht se disa prej nesh e shohin dhunën dhe vrasjen si një vazhdim legjitim të politikës, kjo tregon kujtimet për tmerret e luftës në të kaluarën duket se janë duke u zbehur. Ne nuk duhet ta lejojmë këtë të ndodhë, kujtimi i së kaluarës sonë është një pjesë integrale e angazhimit tonë për të mbështetur dhe mbrojtur rendin global të paqes që arritëm të vendosim pas vitit 1945. Ne duhet të kujtojmë, nuk duhet të harrojmë kurrë”, tha ai.

Lufta e Parë Botërore filloi më 28 korrik të vitit 1914 dhe përfundoi më 11 nëntor të vitit 1918, me fitoren e Bllokut të Antantës ku bënte pjesë Britania e Madhe, Franca dhe Rusia, ndaj Aleancës Tripalëshe, ku bënin pjesë: Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia.

Exit mobile version