Me nderime të larta janë përkujtuar tridhjetë e dy dëshmorët dhe martirët e fshatit Opterushë të Rahovecit.
Kryetari i fshatit Opterushë, Skënder Krasniqi ka thënë se në 24-vjetorin e rënies, po kujtojnë bijtë e bijat më të mirë të Opterushës.
“Jemi mbledhur për të ndarë dhimbjen dhe krenarinë për më të dashurit tanë, për bijtë më të mirë të Opterudhës. Për këtë shtet dhe liri është derdhur shumë gjak, kemi paguar me jetën e më të dashurve tanë duke humbur bijtë, bijat, burrat, gra, fëmijët, pleq. Flijimi për atdhe do të thotë të mos vdesësh kurrë, do të thotë të jetosh gjithmonë në historinë e lavdishme të atdheut. Me idealin e tyre ne do të jetojmë gjithmonë për të bërë Kosovën vend ashtu siç e deshën, mësohet, frymohet shqip”, tha ai.
Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se beson që institucionet e vendit do ta rrisin presionin në drejtim të bashkësisë ndërkombëtare e që bashkësia ndërkombëtare ta obligojë Serbinë që ta zbardhë sa ma shpejtë fatin e të pagjeturve.
“Pa gjakun, pa flijimet e 32 njerëzve të këtij fshati, në këtë fshat nuk do të kishte Kosova liri dhe nuk do të ishte Kosova shtet. Prandaj, ky gjak i ka ujitur rrënjët e lirisë, është në themelet e lirisë edhe të shtetit tonë, Republika e Kosovës. Të përkujtojmë faktin që në këtë fshat ka pas angazhim dhe rezistencë të njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.
Ai deklaroi se në këtë fshat kanë dhënë kontribut edhe shumë prej atyre që nuk jetojnë më.