Në mungesë të kuorumit, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca ka mbyllur seancën e sotme plenare.
Pas votimit të disa pikave të rendit të ditës, pjesa dërmuese e deputetëve lëshuan sallën dhe rrjedhimisht s’kishte kuorum për diskutim të pikave në vazhdim. Konjufca tha se seanca e njëjtë do të vazhdojë të premten në orën 11:00.
Këto janë pikat e mbetura të seancës:
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022,
Emërimi i Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës,
Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar.