Protesta e sotme në Zveçan është përcjellë me tensione ku ka pasur provokime nga protestuesit drejtim të KFOR-it. Serbët, duke bartur rroba nacionaliste, kanë ngritur 3 gishta lartë dhe i kanë ofenduar ata. Protesta është përcjellë edhe me muzikë nacionaliste serbe ndërsa ka përfunduar rreth orës 16:00.
Ndërkohë që edhe gazetarët janë penguar gjatë raportimit të tyre, dhe janë dëmtuar disa automjete të mediave të cilave u janë thyer xhamat dhe shpuar gomat.
Gjatë ditës një automjet i Policisë, duke provuar të qarkullojë nga stacioni i policisë në Zveçan, në drejtim të Mitrovicës, tek udhëkryqi është sulmuar me gurë dhe i janë thyer xhamat.
Pas këtij incidenti, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë provuar të negociojnë me përgjegjësin e ushtrave të KFOR-it, duke i kërkuar që Policia e Kosovës të mos qarkullojë nëpër rrugët e Zveçanit dhe në vend të tyre të vendosen ekipet e KFOR-it.
Pas rreth 20 minuta negocim, përfaqësuesi i KFOR-it nuk ka mundur të garantojë një gjë të tillë, duke thënë se edhe policët kanë nevojë të lëvizin nganjëherë sipas planit të tyre operativ.
Megjithatë, ai ka premtuar që do të bëjë një analizë për këtë gjë, dhe do të kthejë përgjigje por pa precizuar afatin kohor se kur do të ndodh kjo.
Ndërsa përkundër zërave se do të sulmohen gazetarët shqiptarë, të cilat kanë krijuar për një kohë tension në mesin e mediave, gjithçka ka kaluar pa incidente, dhe protesta ka përfunduar qetësisht rreth orës 16:00.