Ka përfunduar për këtë javë gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së që po zhvillohet në Dhomat e Specilizuara në Hagë.
Para trupit gjykues ka dëshmuar Daniel Moberg, oficer i sigurisë operative në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), i cili ka thënë se më 8 shtator, bashkë me një anëtar tjetër të ZPS-së, një përkthyes dhe një vëzhgues, ka kryer sekuestrim e dokumenteve në OVL-UÇK. Ai ka thënë se sekuestrimin e kanë bërë me autorizim të gjykatës dhe një kopje të këtij vendimi ia kanë dorëzuar përfaqësuesit të OVL-UÇK, Faton Klinakut që sipas tij ka nënshkruar dokumentet e dorëzimit.
Dëshmitari ka thënë se Klinaku ka vërejtur që dokumentet të cilat u ka dorëzuar zyrtarëve të ZPS-së, kanë qenë ato që kishin arritur në zyrat e organizatës nga një person ende i panjohur.
Gjatë dëshmisë së tij, ai ka thënë se më 8 shtator i ka transportuar vet materialet e sekuestruar nga OVL-UÇK në zyrën e ZPS-së në Prishtinë.
Dëshmitari ka shtuar se ka qenë i pranishëm në skanimin e dokumenteve dhe dorëzimin e tyre për në Hagë, pasi i ka vulosur.
Suedezi Moberg ka thënë se nuk është i përfshirë në hetime veçse ndihmon në ngjarje të tilla. Ai i ka thënë trupit gjykues se nuk ka njohuri rreth hetimit të ZPS-së që lidhet me rrjedhjen e dokumenteve.
Daniel Moberg tha se është pjesë e ZPS-së që prej fillimit të punës së saj, ndërsa ka shtuar se më herët ka punuar edhe më Task Forcën Hetimore Speciale.
“Një pjesë e mirë e kompetencave të mija ushtrohet në teren, duke ofruar siguri për stafin e ZPS-së, por gjithashtu punojmë ngusht edhe me departamente të ndryshëm si për shembull me dëshmitarët, me sigurimin e partnerëve të tjerë, pjesa më e madhe e punës sonë realizohet në teren”, ka thënë dëshmitari.
Në seancën gjyqësore që do të mbahet të hënën, më 8 nëntor pritet të akuzuarit Hysni Gucati e Nasim Haradinaj të bëjnë nga një deklarim para trupit gjykues.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 dhe prej atëherë po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.