UBT News

​Përfaqësuesit e BE-së kërkojnë që gratë të përfshihen në dialogun Kosovë-Serbinë

Ani pse Kosova është në rrugë të mirë sa i përket barazisë gjinore, vërehet mungesa e grave në dialogun me Serbinë. Kështu u tha në konferencën “Gruaja në tryezën negociuese në Kosovë”, ku përfaqësues të Bashkimit Evropian kërkuan përfshirjen e grave në tavolinën negociuese.

Shefi i Seksionit Ligjor, Sundimi i Ligjit dhe të Drejtat e Njeriut, Jarmo Helppikangas foli për rëndësinë e angazhimit të grave në dialogun me Serbinë.

“Implementimi është çelësi. Kjo është diçka që do të mundohemi ta përfshijmë në aktivitetet praktike, në procesin legjislativ dhe kur t’i bëjmë komentet[…]Do të mundohemi që qeveria të kryejë detyrën e vet. Do të kemi më pak për të thënë gjatë viteve të ardhshme sepse gjërat do të ecin më mirë edhe pa ne. Sa i përket pjesëmarrjes së grave në dialogun Prishtinë – Beograd, aty kemi parë shumë pak pjesëmarrje të grave. Duke respektuar ‘team-lideren’ e mëhershëm, nuk mund t’i mohojmë rezultatet, por çfarë ka ndodhur pastaj, përfaqësimi gjinor a është marrë parasysh, ne mendojmë që kjo po mungon. Ne mendojmë se duhet të ketë më shumë pjesëmarrje të grave aty”, tha ai.

Ai tha se barazia gjinore është proces, ku duhet çdo ditë të punohet. Derisa tha se krejt çka nevojitet është implementimi i ligjit në mënyrë që personat kompetent të përfitojnë pozita pa asnjë diskriminim.

“Plani i veprimit, i parë në nivel shtetëror, për implementimin e Rezolutës 13/25 është finalizuar në janar të vitit 2014, që ka kaluar mjaft kohë, por implementimi është diçka që po dëshirojmë të shohim konkretisht në jetën e përditshme të legjislaturës publike, në emërimin e menaxherëve, drejtuesve, personave të rinj, në atë që gjithmonë personat më kompetent të përfitojnë pa kurrfarë diskriminimi”, tha ai.

Përfaqësuesja Speciale e Bashkimit Evropian në Kosovë, Reyes Charle Cuellar, tha se Kosova është në rrugë të mbarë sa i përket integrimit të gruas në shoqëri dhe ka një shoqëri civile të organizuar mirë.

“Fusha akademike ka qenë e populluar shumë më shumë nga burra sesa gra, edhe pse shumë gra po mbërrijnë shkallën e arsimit akademik, jo vetëm në Kosovë por edhe gjetiu… 4:48 Diçka që gjithmonë është dëshmuar e rëndësishme, është sinqeriteti që gratë të gjejnë vendin e vet. Kjo punë nuk mund t’i lihet vetëm partnerëve ndërkombëtar. Asistenca e tyre natyrisht që është e çmueshme. Në lidhje me këtë Kosova është në rrugë të mbarë. Përkundër që Kosova ka një shoqëri civile të organizuar mirë, ka gjithashtu edhe gra kompetente të shkëlqyeshme që shkëlqejnë në të gjitha fushat”, tha ajo.

Në kuadër të tryezës “Gratë në tavolinën e negociatave ndërkombëtare në Kosovë” u mbajt edhe paneli i diskutimit “Gratë në diplomaci”, ku ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Heenmarck dhe zëvendëspërfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të UNMIK-ut, Barrie Lynne Freeman ndanë përvojat e tyre personale deri në arritjen e përmbushjes së synimeve të tyre.

Exit mobile version