Amendamentet e propozuara nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu nuk po marrin mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Për këtë reagoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili pyeti deputetin se a ka ndonjë projekt që i ka vetëm gjashtë shifra.
Por përdorimi i nofkës “Kamishi” nga ana e Konjufcës ka ngallur reagimin e deputetit të PDK-së, Elmi Reçica, të cilit më herët Konjufca i kishte kërkuar të ketë kujdes me fjalët pasi kishte quajtur ministrin e Financave “çun”.
“A ke ndonjë projekt Kamish që i ka veç gjashtë shifra apo vetëm përmbi. Veç pak Reçica se deputeti vet ka dalë këtu në foltore dhe e ka konsideruar nder nofkën që e ka pasur gjatë. Nuk e pata, është qasje respektuese, ndoshta deputeti Haxhiu e pranon këtë”, tha ai.
Ndaj kësaj reagoi deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, që tha se edhe ai e kishte për respekt kur iu drejtua ministrit Hekuran Murati me emrin “çun”.
“Edhe unë e pata në shenjë respekti për ministrin tuaj kur e quajta ‘çun’, me i thënë ‘plak’ është keq, a me i thënë ‘çun’ është mirë”, tha ai.
Por, që kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, sërish reagoi duke thënë se “çun” është kualifikim me prapavijë.