Për rreth një vit në platformën kombëtare për mbrojtje nga diskriminimi për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian, janë raportuar 23 raste të diskriminimit. Gjatë prezantimit të raportit të kësaj platforme u theksua nevoja e qytetarëve për të qenë më të informuar sa i përket raportimit të rasteve të diskriminimit.
Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, të Drejtat e Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Kundër-diskriminim, Habit Hajredini, ka kërkuar edhe angazhim shtetëror për ta parandaluar diskriminimin.
“Për një vit natyrisht shohim një progres, pasi në fillim kemi qenë skeptik si do të mirëpritet dhe avancohet ky ko vetëm tek strukturat institucionale por tek qytetarët. Por, kërkohet angazhim shtetëror për ta parandaluar diskriminimin e komuniteteve, kryesisht ashkalinj e egjiptian në Kosovë”, tha Hajredini.
Ndërsa Avokati i Popullit, Naim Qelaj, këtë platformë e konsideron si një mundësi të mirë për gjithë qytetarët që duan të raportojnë raste të diskriminimit.
“Unë e konsideroj si një mundësi të mirë këtë platformë që qytetarëve ja bënë më të lehtë raportin e diskriminimit, çfarëdo qoftë ai”, tha Qelaj.
Kjo ceremoni e përvjetorit të “Platformës kombëtare për mbrojtje nga diskriminimi për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian”, është organizuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë në bashkëpunim me projektin Drejtësi Sociale për Rom, Ashkali dhe Egjiptian, implementuar nga Misioni Terre des hommes në Kosovë, Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve dhe Fondacioni HEKS.