UBT News

​Për herën e dhjetë dorëzohen dosje në Kushtetuese për kompensimin e dëmeve të luftës

Organizata Joqeveritare “Ngritja e Zërit” për herë të dhjetë sot ka dorëzuar dosjet-lëndët e radhës në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë̈ së aktit juridik të Gjykatës Supreme të Kosovës, me rastin e refuzimit të padive për kompensimin e dëmeve të luftës.

Më këtë rast, Tahir Bejta nga kjo OJQ tha se sot kur po shënohet dita ndërkombëtare për të drejtat e njeriut qytetarëve të Kosovës po u mohohet e drejta për kompensim të dëmeve gjatë luftës së fundit në Kosovës.

“Sot kur flasin për lirinë e të drejtëve dhe lirive të njeriut patjetër që do ta na e ngacmoj memorien për të gjithë ata të cilët pësuan pa fajin e tyre gjatë luftës së fundit gjenocidale gjatë vitit 1998-1999. Për ata të cilët humbën gjithçka, ndaj i thërrasim mendjes për të drejtat e tyre për kompensimin e dëmit moral dhe material. Sot për herë të dhjetë dorëzuam në Gjykatën Kushtetuese dosjet për vlerësimin e kushtetutshmërisë të aktvendimeve të Gjykatës Supreme e cila sikurse gjykatat e rregullta është duke i hedhur paditë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën[…]Padrejtësisht palëve të dëmtuara në cilësinë e palëve paditëse është duke iu mohuar e drejta e garantuese, qasja në drejtësi”, tha ai.

Bejta tutje ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të intervenojë në infrastrukturë ligjore që t’u hap rrugë gjykatave të Kosovës për t’u marr më këto padi.

Në të kundërtën paralajmëroi ngritjen e padisë për Kosovën në Gjykatën Evropian për Drejtësi në Strasburg.

“Nuk mund të tolerohet kështu gjyqësori në mënyrë të pakufizuar pasi që për 13 vite është duke mohuar të drejtën e palëve për qasje në drejtësi. Apelojmë tek qeveria që të intervenoj në infrastrukturën ligjore që të ofrojë mundësi gjykatave për shqyrtimin e padive kundër Serbisë për kompensim të dëmeve. Në të kundërtën ngritja do të detyrohet që Kosovën ta dërgojë si palë paditëse në Gjykatën Evropiane për Drejtësi në Strasburg më ç’rast do të pësojë integriteti dhe reputacioni i Kosovës”, tha ai.

Exit mobile version