Task-forca për menaxhimin e thatësisë në Gjilan ka mbajtur sot takimin e radhës, ku u bë e ditur se pas reshjeve të fundit, situata me furnizim me ujë të pijshëm është normalizuar, pasi që penda e Përlepnicës ka arritur kuotën maksimale prej 30.37 metra thellësi.
Në takim u tha se komuna e Gjilanit në vitet e fundit ka punuar për zgjidhjen afatmesme të problemit të ujit të pijshëm, duke rezultuar me marrëveshje me Bankën Botërore, përmes projektit multi-milionësh “Flows”, i cili pritet të vetëm të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.
“Ne kemi punuar me konfidencë dhe partneritet, që Banka Botërore si lidere në këtë program së bashku me Komunën, Hidromoravën dhe Qeverinë, t’i japim zgjidhje afatmesme këtij problemi dhe pastaj zgjidhje afatgjate. Jam I lumtur që kjo është arritur”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.
Haziri ka apeluar qytetarët që pavarësisht normalizimit të gjendjes, të vazhdojnë ta kursejnë ujin, duke shtuar se kjo tashmë është kulturë në Gjilan.
Në këtë aspekt, kreu i Gjilanit tha se do të vazhdohet me investime në qytet dhe fshatra, ku janë të përfshira komuna, KRU Hidromorava dhe Qeveria e Zvicrës.