Reparti i pediatrisë në qytetin e Mitrovicës po ballafaqohet me kushte të vështira. Objekti është i vjetër dhe numri i mjekëve është i pamjaftueshëm për t’i trajtuar fëmijët të cilët bëjnë vizita në këtë repart, ndërsa spitali i ri i pediatrisë që është ndërtuar para pesë vjetësh, mbetet i pashfrytëzueshëm për shkak të mosmarrëveshjes mes donatorit dhe punëkryesit.
Qenan Qabra, shef i Repartit të Pediatrisë në Mitrovicë, ka bërë të ditur për KosovaPress se sfidat në këtë repart janë të shumta. Ai përmend objektin e vjetër dhe kushtet e rënda për punë, numrin e vogël të mjekëve, distancën nga spitali regjional që pamundëson trajtim të mirëfilltë, si sfida të mëdha në ofrimin e shërbimeve cilësore për pacientët.
Sipas tij, në këtë repart, i cili nuk i plotëson kushtet për punë, ndodhet vetëm një dhomë me shtatë shtretër, ku është e pamundur të bëhet trajtimi i fëmijëve me shërbime cilësore 24-orëshe. Ai thotë se spitali i ri i pediatrisë ka përfunduar para pesë vjetësh, por nuk e di arsyen pse akoma nuk po funksionalizohet.
“Sfidat e repartit të pediatrisë janë shumë të mëdha. Së pari, në problemin e kuadrove kemi pasur vështirësi për arsye se kemi qenë numër shumë i vogël sepse pediatërit e mëhershme kanë dalë në pension, brenda një viti pesë pediatër janë pensionuar përnjëherë dhe kemi mbetur një numër shumë i vogël… Sfidë tjetër me rëndësi është objekti në të cilin ne funksionojmë. Ky objekt nuk i plotëson kushtet për punë. Kemi një dhomë ku ndodhen shtatë shtretër që nuk janë të ndarë, dhe trajtimin e fëmijëve këtu nuk e bëjmë në mënyrë të vazhdueshme. Do të thotë nëse ka nevojë për trajtim hospitalor, por vetëm trajtim njëditor. Problemi tjetër është sepse jemi larg objektit spitalor dhe meqë kështu, ne nuk mund të kërkojmë në çdo kohë shërbime konsultative, të cilat na duhen, radiologjinë, laboratorin, konsultat me kirurgë, konsultat me mjekë të profileve të ndryshme, kështu që e kemi shumë të vështirë në kushtet në të cilat funksionojmë… Me shtatë pediatër ne jemi prapë të kënaqur në krahasim me numrin e mëparshëm. Mjekët pediatër në Mitrovicë të cilët shërbejnë janë shumica prej Prishtinës dhe ata udhëtojnë. Kushtet e vështira të udhëtimit, rruga e keqe, vonesat, mos stimulimi i udhëtimit dhe krejt këto ndikojnë që në të ardhmen mjekët mendojnë të shkojnë për të punuar ë Prishtinë nëse gjejnë ofertë më të mirë. Objekti i ri është ndërtuar para pesë vjetësh, donator ka qenë shoqata “Nënë Terezë” me seli në Gjermani. Nuk e di arsyen pse ne nuk kemi kaluar atje”, ka thënë Qabra.
Ndërkaq, Luljeta Zhubi, drejtoreshë e spitalit regjional ‘Sami Haxhibeqiri’ në Mitrovicë, thotë se një mosmarrëveshje mes donatorit dhe punëkryesit ka pamundësuar deri tash funksionalizimin e spitalit të ri të pediatrisë. Ajo theksoi se pavarësisht kostos financiare që kap kjo mosmarrëveshje, ajo është shumë më e vogël në krahasim me objektin dhe shfrytëzueshmërinë e tij.
Zhubi ka potencuar nevojën e madhe për pediatër të rinj në Mitrovicë, duke thënë se kushtet e vështira të punës, sikur zbehin interesimin e tyre për të punuar këtu.
“Objekti është përfunduar në tërësi. Është një objekt shumë i bukur, modern, shumë funksional. Iniciativën për ta ndërtuar e ka pasur shoqata “Nëna Terezë” që vepron në Gjermani. Por, ka ndodhur një mosmarrëveshje si duket në mes të donatorit dhe kryesit të punimeve, është një problem për të cilin është njoftuar edhe SHSKUK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë dhe presim shumë shpejt të zgjidhet kjo mosmarrëveshje dhe ta funksionalizojmë objektin… Nuk e di saktësisht shumën, nëse janë 50 mijë ose 100 mijë euro nuk e di saktësisht, por është një shumë që nuk e ka vlerën aq të madhe në krahasim me vlerën sa e ka objekti dhe shfrytëzueshmëria e saj… Nevoja për pediatër të rinj është shumë e madhe. Kemi hapur konkurs dhe kemi kërkuar katër nga ta, por në konkurs janë lajmëruar vetëm dy…Ndoshta është edhe mungesë, por unë për ta sensibilizuar gjendjen, e them gjithmonë se problemi është te kushtet ku punojnë. Secili doktor i do kushtet e mira, dhe ta afirmojë veten me mundësitë më të mira të punës. Objekti ku tani funksionon pediatria nuk i plotëson kushtet dhe si duket pediatrit nuk janë të inkurajuar të punojnë në kushte të tilla”, u shpreh për KosovaPress Zhubi.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, për disa herë rresht nuk është përgjigjur në thirrjet e KosovaPress-it rreth kësaj çështjeje.