UBT News

​Peci: Keqpërdorime të mëdha me subvencione, gjysmë milioni euro kursyem nga verifikimi

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci gjatë raportimit në Komisionin për Bujqësi, ka theksuar se gjendja në këtë ministri është mjaft e rëndë, për mungesë të legjislacionit, nivelit të borxheve dhe keqpërdorimeve.

Ministri Peci tha se Ministria e Bujqësisë është njëra prej ministrive në nivelin më të keq prej të gjitha ministrive të tjera, kjo si rezultat i problemeve të trashëguara.

“Bindja ime personale është se qëndron ndoshta njëra prej ministrive me gjendjen më të keqe në nivel të të gjithë qeverisë. Në kuadër të AZHB-së është një numër i zyrtarëve të cilët kanë të ngritur aktakuzën, një numër i madhe i tyre janë në mbajtje dhe një pjesë tjetër me gjasë në proces të hetimit nga organet e rendit dhje prokurorisë, kjo ka bërë fatkeqësisht me pasur një traumë”, theksoi Peci.

Ai foli edhe vonesat e ndarjes së subvencioneve për fermerët, duke thënë se i kupton shqetësimet e tyre.

“E di që është shqetësim real nga fermerët për disa vonesa në aspektin për disa pagesa të subvencioneve. Besoj që shumë shpejt koha ka me treguar, për faktin se ne kemi krijuar një Taskë Forcë dhe po i verifikojmë klanet që në të kaluarën kanë përfituar fermerë të caktuar, disa pej tyre edhe fiktive. Për këtë, me një vonesë ndoshta prej 1 muajsh është treguar që ne po e menaxhojmë mirë dhe po tregohemi të kujdesshëm, meqenëse lënda e subvencioneve ose mënyra se si janë shpërndarë viteve të fundit këto mjete, janë objekt i ndjekjes penale. Mbi bazën e raportit të Taskë Forcës, del që diku prej 700 lëndëve, buxheti i Kosovës do të ketë kursime prej afër gjysmë milionë euro. Për shkak se ka pasur përfitues të cilët nuk i kanë plotësuar kriteret”, theksoi ai.

Ministri i Bujqësisë duke iu përgjigjur deputetit Bekim Haxhiu për zvogëlimin e subvencioneve për sipërfaqet e fermerëve të rrushit, theksoi se kjo është e pavërtetë.

“Deri në këtë fazë nuk ka asnjë vendim dhe nga një diskutim i brendshëm të një anëtari që ka përfaqësuar aty ndonjë shoqatë ose ndonjë grup fermerëve, është dalë dhe bërë laj bombastik. Deri tash nuk kemi ndonjë ndryshim, dhe çdo diskutim mbetet në nivel të spekulimit”, theksoi Peci.

Ai foli edhe për sigurimin e kulturave bujqësore. Derisa premtoi edhe 1.5 milion euro të cilat do të ndahen në mbledhjen e ardhshme të qeverisë për dëmet në bujqësi.

Exit mobile version