UBT News

​PDK zyrtarizon Fadil Nurën si kandidat për kryetar të Skenderajt

Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkesën për zëvendësimin e disa kandidatëve për Kuvende Komunale dhe për zëvendësimin e një kandidati për Kryetar Komune.

“PDK beson në shtetin e së drejtës dhe respekton vendimet e institucioneve të pavarura të shtetit, dhe përkundër kundërthënieve të Ligjit për Zgjedhje Lokale, brenda afatit të përcaktuar nga KQZ, i ka bërë të gjitha zëvendësimet e kërkuara”, njoftojnë nga kjo parti.

Në këto zgjedhje, Sami Lushtakut i është pamundësuar kandidatura për kryetar të Skenderajt, mirëpo PDK, e bindur në fitore në këtë komunë, thotë se ai do të jetë pranë qeverisjes së re.

“Edhe pse po pengohet të garojë për Kryetar të Skenderajt, z. Sami Lushtaku, me besimin e qytetarëve të Skenderajt, më 17 tetor, do të jetë pranë tyre në qeverisjen e re të PDK-së në këtë komunë”, vijon njoftimi.

Ndërkohë, në pajtim me kërkesën e KQZ-së, Dega e PDK-së në Skenderaj ka miratuar unanimisht kandidaturën e deputetit Fadil Nura për kryetar të Skenderajt.

Nga ana tjetër, bëhet e ditur se Lushtaku do të vazhdojë betejën ligjore për, siç thuhet, të vënë në pah të drejtën e tij kushtetuese.

Exit mobile version