Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që për zhdukjen e mostrave të aktivistit, Astrit Dehari që ka ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar të intervistojë kryeministrin, Albin Kurti dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Kjo pas deklaratave të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, lidhur me rastin Dehari.
Në një konferencë për media, nga kjo parti deklaruan se ende nuk është vendosur nëse do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskim dhe Verifikim të Pasurisë së Pajustifikueshme, ndonëse diçka të tillë kishin paralajmëruar.
Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në PDK, Përparim Gruda u shpreh se rasti Dehari nuk duhet të vazhdojë të keqpërdoret politikisht.
“Rasti Dehari është një rast tragjik, është një rast që nuk mund të vazhdojë të keqpërdoret politikisht. Në këto kushte unë i bëjë thirrje në emër të PDK-së Prokurorisë së Shtetit që të intervistojë kryeministrin Kurti, ministren, Albulena Haxhiu mbi çështjen e zhdukjes së mostrave të rastit Dehari dhe me këtë t’i hap rrugë njëherë e mirë zbardhjes përfundimtare të plotë dhe të vërtetës mbi vdekjen tragjike të Astrit Deharit. Pra, ne kërkojmë drejtësi për rastin Dehari dhe kjo të zbardhet deri në fund”, u shpreh ai.
Ai adresoi disa pyetje për kryeministrin Kurti dhe minsitren Haxhiu.
“Çka dinë kryeministri Kurti dhe ministrja Haxhiu në lidhje me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit duhet ta thonë publikisht, cilat veprime janë ndërmarrë për të zbardhur të vërtetën e plotë mbi mënyrën si këto mostra janë zhdukur sepse ato nuk janë në organet që nuk menaxhohen nga Qeveria, por janë zhdukur në organe që menaxhohen nga Qeveria e që është IML… Pyetja e tretë pse po heshtin karshi akuzave të tilla, karshi akuzave që i përfshin ata direkt në krimin e zhdukjes së mostrave. Pse hesht Qeveria e Kosovës, kryeministri, Kurti dhe ministrja Haxhiu pse nuk sqarohet pozicioni i tyre”, tha Gruda.
Përmes kësaj konference për medie Gruda shprehu shqetësimet e këtij subjekti politik për siç u shprehën ndrëhyrjet e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu në organet e pavarura të drejtësisë.
Sipas tij, PDK nuk do të heshtë asnjëheri karshi keqpërdorimeve dhe shantazheve që pushtetit po ua bënë organeve të drejtësisë.
“Kjo nuk mund të ndodh në një vend demokratik që aspiron të bëhet pjesë e shoqërive ku sundon ligji. Zonja Haxhiu nuk duhet të harroj asnjëherë se përveç se e akuzuar në hedhjen e gazit lotsjellës ajo është edhe ministre e Drejtësisë dhe një ministre e Drejtësisë nuk mund t’i bëjë kurrë një koment të tillë prokurorit..Ne emër të PDK do t’i them ministres Haxhiu dhe çdo kujt në këtë Qeveri se PDK nuk do të heshtim asnjëherë para keqpërdorimeve, shantazheve, presioneve që i bënë organeve të pavarura të drejtët, dhe nuk do të heshtim ndaj manipulimeve politike që bëhen me rastet tragjike si rasti Dehari”, tha ai.
Lidhur me paralajmërimin e PDK-së se ligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskim dhe Verifikim të Pasurisë së Pajustifikueshme do e dërgojnë në kushtetuese, koordinatori i Departamentit për Drejtësi, Përparim Gruda u shpreh se nuk kanë marr vendim nëse do ta dërgojnë ose jo në Gjykatën Kushtetuese këtë ligj.
“Ne nuk kemi marr ende një vendim përfundimtar nëse do ta dërgojmë ose jo në Gjykatën Kushtetuese, kur ta kemi atë vendim jemi duke e studiuar do iu njoftojmë me kohë… Defektet lidhen me atë që ka adresuar Komisioni i Venecias me mënyrën se si është dizajnuar çështja e barrës së provës, me të drejtat e njeriut që lidhen në këtë rast”, u shpreh Gruda.
Në dhjetor të vitit të kaluar në Institutin e Mjekësisë Ligjore janë zhdukur mostrat e rastit të Astrit Deharit. Këtë e kishte bërë të ditur vetë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
E të enjten në një konferencë për medie, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi tha se duhet të kërkohen video-incizimet për zhdukjen e mostrave të rastit Dehari. Sipas tij, Prokuroria duhet të intervistojë kryeministrin Albin Kurti, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, etj.