Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar shfuqizimin e rivlerësimit për tatimin në pronë dhe ka njoftuar se nesër do të propozojë amendamentimin e ligjit aktual për tatimin në pronën e paluajtshme.
Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Arben Mustafa tha se veprimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për t’i shtrenjtuar faturat e tatimit në pronë shpërfaq mungesën e konsideratës për vështirësitë me të cilat po ballafaqohen qytetarët e Kosovës si pasojë e krizës ekonomike.
Sipas tij, këto veprime janë përpjekje për të mbuluar, siç thotë ai, skandalet e njëpasnjëshme të qeverisë.
“Qeveria e Kosovës po e zhytë vendin nga kriza në krizë, ndërsa për të gjitha krizat e ka pothuajse përgjigjen e njëjtë, shpërndarjen e 100 eurove që tashmë janë bërë instrumenti më të dalluar i politikës ekonomike të kësaj qeverie e të cilat në asnjë rast nuk kanë arritur të adresojnë nevojat e qytetarëve. Në rastin e tatimit në pronë, kjo mbështetje e propozuar madje nuk ka as bazë ligjore, gjë që krijon evidencë shtesë se kjo qeveri po bënë politikë shkel-e-shko, pa e kuptuar rëndësinë e veprimeve të veta dhe pa një plan serioz se ku dëshiron të arrijë. Ky veprim si dhe veprimet tjera janë përpjekje për të mbuluar skandalet e njëpasnjëshme e sidomos skandalin rajonal te korrupsionit shumë milionësh të ambasadorit Martin Berishaj”, thotë Mustafa.
Ai tha se si PDK kërkojnë shfuqizimin e menjëhershëm të rivlerësimit mbi tatimin në pronë dhe aplikimin e faturave që kanë qenë në vitin 2022.
“Shtrenjtimi i faturave të tatimit në pronë në këtë kohë të vështirë për qytetarët e Kosovës është plotësisht i papranueshëm. Për më tepër, rivlerësimi i pronave që çoi në shtrenjtimin e faturave është bërë duke u bazuar në metodologji dhe kritere jotransparente për publikun dhe duke mos i marrë parasysh zhvillimet që kanë ndodhur për sa i përket zonimit dhe kërkesave të komunave për më tepër fleksibilitet në normat e tatimit në pronë. Prandaj, Partia Demokratike e Kosovës kërkon shfuqizimin e menjëhershëm të këtij rivlerësimi dhe aplikimin e faturave që kanë qenë në vitin 2022 edhe për vitin 2023, ndërsa gjatë këtij viti kërkojmë që të punohet në ligjin e ri të tatimit në pronë i cili duhet të adresojë defektet e ligjit aktual”, theksoi Mustafa.
Ndërsa, deputeti Ferat Shala njoftoi se PDK ka një propozim për amendamentimin e ligjit aktual për tatimin në pronën e paluajtshme, të cilintha se do ta dorëzojë sot në Kuvendin e Kosovës.
“Ne mbështesim në rregullativën ligjore dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si PDK dhe Grup Parlamentar që nga nesër do të ndërmarrim nismën ligjore për amadamentimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme”, theksoi ai.
Ai kërkoi që kriteret dhe metodologjia e vlerësimit të pronave të përcaktohet me ligj.