Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj ka propozuar 31 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Hoxhaj tha se caktimi i datës për zgjedhjet lokale duhet të bëhet pasi të kompletohet KQZ-ja.
“Ne mendojmë që institucionet që merren me organizimin e zgjedhjeve duhet të kenë mjaft kohë që procesi të jetë I përgatitur mirë. Këtë drejtim kemi kërkuar si datë 31 tetorin e këtij viti. Mendojmë se është brenda afatit kushtetues. Do të lejonte që komunat tona të kenë mjaft kohë të përgatiten për zgjedhje, por mbi të gjitha KQZ dhe institucionet tjera relevante”, tha ai.
Sipas tij, asnjë parti tjetër politike nuk është më e përgatitur se PDK-ja për zgjedhjet lokale.
“PDK si asnjë subjekt tjetër politikë është e përgatitur shumë mirë për zgjedhjet lokale. Ju e keni pa se javët e fundit me kolegë të partisë kemi qenë në terren. Veçse i kemi emërimet e para për kandidat për kryetar komunash[…]PDK kërkon që para se të merret data për zgjedhje të kompletohet KQZ-ja dhe ne kërkojmë që PDK-së t’i takojë anëtari i dytë në KQZ-së. Mendojmë se gjitha argumentet juridike janë në anën e PDK-së dhe presim prej presidentes që pikërisht në këtë temë të tregojë se përfaqëson interesin e gjitha partive politike dhe qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ai.
Lidhur me caktimin e kandidatit për kryetar të Prishtinës, Hoxhaj tha se janë në debat të brendshëm partiak për një emër fitues në kryeqytet.
“Ne deri më tani kemi pasur një debat të brendshëm serioz, cili nënkupton se kush mund të jetë ai që paraqet një forcë të mirëfilltë të ndryshimit. Nuk ka një vendim përfundimtar për zotëri Ismaili sepse me procedura dega duhet të propozojë mandej ta miraton kryesia qendrore”, tha ai.
Sipas Ligjit për zgjedhjet lokale, sipas kompetencave të Presidentit të Kosovës të përcaktuara me Kushtetutë, vendimi për të caktuar datën e zgjedhjeve bëhet jo më vonë se katër muaj dhe jo më herët se gjashtë muaj, para datës së zgjedhjeve.
Zgjedhjet nuk mund të mbahen më herët se 60 ditë para përfundimit të mandatit dhe jo më vonë se 30 ditë pas përfundimit të mandatit.