Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka akuzuar presidenten Vjosa Osmani se ka dekretuar Ligjin për zyrtarët publikë me dispozitat antikushtetuese, të cilat sipas tij, Gjykata Kushtetuese i kishte rrëzuar muajin e kaluar.
Gruda në një konferencë për medie të martën, tha se presidentja Osmani ka dekretuar ligjin duke përfshirë kriterin e “përshtatshmërisë” për emërimet e zyrtarëve publikë në shërbimin civil.
“Ka ndodhur diçka që nuk ka ndodhur asnjëherë në praktikën parlamentare dhe kushtetuese të Kosovës. Ligji për zyrtarët publik është dekretuar dhe botuar në Gazetën Zyrtare bashkë me kriterin e përshtatshmërisë të cilin Gjykata Kushtetuese në mënyrë decidive e ka hequr nga ligji. Presidentja ka dekretuar ligjin duke mos e pastruar ligjin ashtu siç ka kërkuar Gjykata Kushtetuese. Unë e kam me veti një pjesë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ku në pjesën operative të këtij aktgjykimi në mënyrë të qartë i kërkohet qeverisë që të dekretojë ligjin por pa formulimin ‘përshtatshmëri’ në pozita të caktuara. Çfarë ka ndodhur është se ky ligj është dekretuar me këtë fjali”, tha ai.
Gruda, i cili është edhe koordinator i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, tha se ky akt është i paprecedentë dhe shkelje e qëllimshme e Kushtetutës, sepse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë obligative për të gjitha autoritetet publike në Kosovë.
“Presidentja ka dekretuar një ligj në kundërshtim me aktgjykimin Gjykatës Kushtetues. Me këtë ajo ka shkel Kushtetutën e Kosovës, pasi kushtetuta jonë në mënyrë të qartë thotë se aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë të obligueshme për të gjitha autoritetet në Kosovë, në mënyrë të veçantë për presidenten që duhet të ketë rolin e saj për mbrojtjen e rendit kushtetues. Presidentja me aktin e dekretimit të këtij ligji ka futur në rendin kushtetues të Kosovës dispozita në ligj që është në kundërshtim me kushtetutën. Me këtë ka shkelur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Kushtetutën dhe për më tepër ka fyer Gjykatën Kushtetuese duke shpërfillur vendimin e saj”, shtoi Gruda.
Sipas tij, presidentja në bashkëpunim me partinë në pushtet po bëjnë veprime në pabesi ndaj Kushtetutës.
“Ky pushtet pasi e ka izoluar Kosovën ndërkombëtarisht dhe është zhytur në korrupsion, shkeljen e Kushtetutës e ka bërë normë. Tani jo vetëm që shkelet Kushtetuta por ka edhe veprime në pabesi ndaj Kushtetutës së Kosovës, pasi ky nuk është thjesht një lëshim teknik, por pabesi ndaj rendit kushtetues”, përfundoi ai.
Gjykata Kushtetuese më 3 gusht të këtij viti ka shfuqizuar disa nene të Ligjit për zyrtarët publikë, pasi sipas tyre, bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës.