Deputetja e Partisë Demokratike, Ariana Musliu-Shoshi ka thënë se janë keqpërdorur 1.1 milion euro ku sipas saj të përfshirë janë ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka.
“Fjala është për një Memorandum Bashkëpunimi në mes të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Caritas-it Zviceran, në bazë të se cilës buxheti i Republikës së Kosovës shpenzohet kundërligjshëm në shume prej 1 milionë e 40 mijë euro. Kjo marrëveshje, është nënshkruar dhe tashmë është duke u realizuar por një gjë e tillë ka ndodhur vetëm pas pëlqimit zyrtar të cilin e ka nënshkruar zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla e cila i ka hapur rrugë nënshkrimit të kundërligjshëm të saj, duke inkurajuar dhe lejuar kështu keqpërdorimi i rreth 1 milion e 40 mijë eurove”, ka thënë ajo.
Sipas saj, dyshimet rreth kësaj marrëveshje janë të karakterit institucional dhe financiar.
“Memorandumi është nënshkruar me datë 16 gusht 2021, nga ana e ministrit Fikrim Damka dhe përfaqësuesve të Caritas-it Zviceran ku statusi ligjor i këtij të fundit është Organizatë Joqeveritare e regjistruar si e tillë në Ministri ë e Administratës Publike të Republikës së Kosovës. Ministria e Zhvillimit Rajonal jo vetëm që nuk ka autorizim ligjor, por është shprehimisht e ndaluar me legjislacionin në fuqi që shpenzimi i buxhetit shtetëror të bëhet në mënyrën siç është vepruar në këtë proces, e mbi të gjitha, të nënshkruhet marrëveshje për ndarje fondesh publike me një OJQ pa pasur shpallje publike e pa iu nënshtruar një gjë e tillë kritereve për çfarë shteti ka shpallur si interes me atë shpallje”, ka shtuar ajo.
Ajo ka thënë se ky Memorandum Bashkëpunimi nga dy ministrat e Qeverisë Kurti është iniciuar dhe trajtuar sipas Ligjit për Marrëveshje Ndërkombëtare me qëllim që të trajtohet si Marrëveshje për Bashkëpunim Ndërinstitucional.