UBT News

​PDK kritikon Kurtin se po e ‘blen’ paqen duke shpërndarë lëmoshë për qytetarët

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka quajtur lëmoshë për qytetarët Pakon e qeverisë për përballje me inflacionin të prezantuar të shtunën nga kryeministri Albin Kurti.

Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa ka kritikuar Qeverinë Kurti për marrjen e masave ekonomike të planifikuara përmes pakos për përballje me inflacionin, në përpjekje siç thekson ai për t’i shuar pakënaqësitë e qytetarëve, që po përballen më krizën e rëndë ekonomike dhe energjetike.

Pas disa muajve shumë të rëndë të ballafaqimit me rritjen e çmimeve dhe me krizë energjetike, Qeveria e Kosovës u kujtua që më në fund të merret me rrethanat e krijuara, duke prezantuar një pako të masave ekonomike, përmes zotimit të shumës prej 150 milionë eurove për subvencionim të disa kategorive shoqërore. Këto masa ndonëse të mirëseardhura, janë të pamjaftueshme dhe nuk zgjidhin asnjë problem real. Dhe është krejt e natyrshme që diçka e tillë nuk mund të pritet nga një qeveri, e cila operon me logjikë të impulseve e jo me plan të mirëfilltë zhvillimor”, tha Mustafa.

Koordinatori Mustafa tha se kjo pako ka për synim blerjen e paqes sociale, pas krizës së krijuar nga Qeveria me sjelljen ndaj punonjësve të sektorit publik.

Kjo pako ekonomike në radhë të parë ka për synim ‘blerjen’ e paqes sociale pas krizës së shkaktuar nga sjellja e qeverisë ndaj punonjësve të sektorit publikë, si dhe frustrimeve dhe depresionit të vazhdueshëm që po shkakton pa aftësia e saj për të adresuar problemet që kanë kapluar vendin. Me politika të tilla, Qeveria po dëshmon se bllokimin e investimeve kapitale e ka bërë për t’i grumbulluar depozitat në mënyrë që sa herë që të ketë një krizë besimi të qytetarëve ndaj qeverisë apo kur partia në pushtet nuk i ka punët mirë në terren, të hapë kuletën e shtetit dhe të shpërndajë lëmoshë për qytetarët në mënyrë që ta zbusë mllefin e tyre”, theksoi Mustafa.

Mustafa u shpreh se qytetarët kanë nevojë për siguri ekonomike dhe ndihmat e tilla simbolike nuk mjaftojnë për t’u përballur me shtrenjtimin e kostos së jetesës.

Koordinatori Mustafa duke akuzuar Qeverinë për mungesë vizioni dhe transparence, tregoi se Ministria e Financave po vazhdon të mos i shfrytëzojë instrumentet e akcizës dhe TVSH-së për zbutjen e rritjes së çmimeve.

Sipas Mustafës, sa i përket tregut të punës, skemat e punësimit janë të paefektshme dhe po shoqërohen me mungesë transparence për sa i përket numrit të përfituesve.

Ai tha se PDK vazhdimisht i ka bërë thirrje qeverisë për hartimin e masave të vërteta ekonomike e fiskale për t’i evituar sfidat me të cilat sot po përballen qytetarët, por ajo ka dështuar të sigurojë mirëqenie e zhvillim ekonomik.

Exit mobile version