Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, theksoi se shqetësuese mbeten dy çështje për vendin, të cilat i ka quajtur dy skandale të qeverisë, njëra për rritjen e tatimit në pronë dhe tjetra për caktimin e vlerës së koeficientit në 105 euro.
Deputeti Shala theksoi po ashtu se koeficienti i pagave, duhet të jetë minimum 120 euro.
“Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, po ngritim shqetësimin dhe njëkohësisht po propozojmë daljen nga situata e krijuar për dy nga skandalet e fundit të kësaj qeverie. Nxjerrja e raportit pë vlerësimin e pronave të paluajtshme nga Ministria e Financave dhe skandali tjetër, publikimi i koeficientit të pagës prej 105 euro… Ne i japim shanse qeverisë që të shfuqizojë rritjen e tatimit në pronë për të gjithë qytetarët. Po ashtu të krijojë mundësi për rishikimin e tërësishëm të Ligjit. Ndërsa, për afaren e dytë, vlera e koeficientit në pagë prej 105 euro. Është e pa kuptueshme dhe e pa arsyeshme se si qeveria kalkuloi dhe vendosi për këtë alternativë, e cila jo që zgjidhë problemin, por komplikon dhe dëmton skajshmërisht pjesën dërmuese të përfituesve nga ligji i pagave. Caktimi i koeficientit 105 euro është jomeritor për qytetarët e vendit dhe për shfrytëzuesit e kësaj norme”, theksoi ai.
GP i PDK-së propozoi që vlera e koeficientit të jetë minimum 120 euro.