Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar nga Qeveria që të ndajë 100 milionë euro për ushtrinë, kjo pas agresionit rus në Ukrainë.
Anëtarja e Kryesisë së PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj në konferencën për medie u shpreh se invazioni rus në Ukrainë po eskalon në përmasa të mëdha e që mund të ketë ndikim në zhvillimet politike edhe në rajon.
“Për ruajtjen e paqes dhe sigurisë Kosova duhet t’i forcojë kapacitet e veta ushtarake. Ne e vlerësojmë krejt legjitime dhe e domosdoshme që në këtë moment kyç për ruajtën e paqes dhe sigurisë Kosova duhet t’i forcojë kapacitetet e veta ushtarake. Për t’iu përgjigjur kësaj nevoje Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga Qeveria që ta sjellë brenda javëve në vazhdim në afat sa më të shkurtër, por gjithsesi brenda këtij muaji rishikimin e buxhetit për vitin 2022, konkretisht kërkojmë nga Qeveria që nga shpenzimet kapitale të parapara për këtë vit të cilat janë për llogaritur në vlerë prej 554 milionë euro, të merren 100 milionë euro dhe të njëjta të ri-destinohen për nevojat e kapaciteteve ushtarake dhe të sigurisë”, tha ajo.
Ajo ka theksuar se dyfishimi i buxhetit për ushtrinë është i rëndësishëm në mënyrë që ushtria e Kosovës të mund të kontribuojë për ruajtën e paqes së sigurisë në vend, në rajon, por edhe më gjerë.
“Në mënyrë që ushtria jonë të jetë e gatshme që t’i kontribuojë ruajtës dhe paqes së sigurisë në vendin tonë, në rajon por edhe më gjerë, dyfishimi i buxhetit për ushtrinë për këtë vit është ndër hapat më të rëndësishmet që kontribuojnë në këtë drejtim. Rruga e Kosovës është shumë e qartë dhe aspiratat tona për anëtarësim në NATO kanë edhe implikime buxhetore, kërkojmë që për çdo vit buxheti i shteti që ndahet për ushtrinë tonë të kap minimum vlerën e 2 % të GDP-së apo bruto produktit vendor konform vendimit të ministrave të mbrojtjes së NATO-s që është marrë në qershor të vitit 2006”, tha ajo.