UBT News

​PDK inicion në Kuvend plotësim-ndryshimin e Ligjit për Tatimin në Pronë

Partia Demokratike e Kosovës ka iniciuar në Kuvendin e Kosovës ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e paluajtshme. Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për medie koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa, i cili tha se përmes këtij plotësim-ndryshimi është propozuar pezullimi i vlerësimit të pronave që është bërë në vitin 2022.

Sipas tij, kjo nismë është ndërmarrë pas dyfishimit të faturave të tatimit në pronë për vitin 2023 për pjesën më të madhe të qytetarëve të Kosovës. Ai ka kërkuar nga mazhoranca që ta trajtojë këtë projektligj me urgjencë.

“Duke parë këtë gjendje ashtu edhe siç kemi paralajmëruar Grupit Parlamentar i PDK-së ka iniciuar në Kuvendin e Kosovës ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme. Përmes këtij projektligji kemi propozuar pezullimin për një vit të vlerësimit të pronave që është bërë në vitin 2022 nga ana e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, në mënyrë që tatimi në pronë të mos rritet në këto kushte të rënduara ekonomike. Ky ndryshim dhe plotësim i Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme do të mundësojë aplikimin e vlerësimeve të pronave dhe faturave tatimore që kanë qenë deri në vitin 2022. Gjithashtu, është propozuar që Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve të organizojë një proces të ri vlerësimi të pronave të paluajtshme. Vlerësimi i ri i pronave duhet të mbështetet në një proces profesional dhe transparent, ku qytetarët dhe komunat do t’i kenë të qarta metodologjinë dhe kriteret mbi të cilat është bazuar vlerësimi i ri pronave”, tha ai.

Përmes kësaj nisme ligjore, PDK ka propozuar që Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve brenda një viti të propozojë amandamentimet e nevojshme ligjore me të cilat ndryshohet pragu i poshtëm prej 0.15% i përcaktuar në nenin 9 të ligjit bazë.

Mustafa i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës për vlerësim pozitiv sa i përket kësaj nisme ligjore të PDK-së dhe kjo çështje të adresohet sa më shpejtë që është e mundur.

“Çdo tentativë tjetër për të zhvendosur vëmendjen nga ngarkesa e panevojshme që i është vënë qytetarëve të vendit, sikur tendenca për t’i bartur komunave përgjegjësinë e faljes ose jo të 100 eurove, paraqet vetëm një vazhdim të përpjekjeve për manipulim me publikun dhe ikje nga përgjegjësia e veprimeve të palogjikshme dhe të pamatura politike. Kërkojmë zgjidhje të qëndrueshme, jo të bazuar në hapa ad-hoc siç po vepron Qeveria me projektligjin aktual. Pra, një zgjidhje të strukturuar dhe në favor të qytetarëve të Kosovës”, tha Mustafa.

Sipas Mustafës zgjidhjet e ofruara deri më tani janë improvizuese dhe vetëm sa e shtyn problemin në vitin e ardhshëm. Mustafa u shpreh po ashtu se kjo gjendje nuk ka ndodhur për shkak të komunave, prandaj edhe zgjidhja nuk është në duart e kryetarëve të komunave.

“Në këtë situatë në të cilën jemi nuk ka ardhur për shkak të ndonjë veprimi që kanë bërë komunat apo kryetarët e komunave dhe për këtë arsye edhe zgjidhja e kësaj problematike nuk është në duart e kryetarëve të komunave. Në këtë situatë kemi ardhur për shkak të një veprimit të Ministrisë së Financave të cilët në vitin 2022 ndërmorën veprimin e rivlerësimit të pronave me ç’rast për pjesën më të madhe qytetarëve dyfishuan vlerën e pronave dhe rrjedhimisht dyfishuan vlerën e tatimit në pronë. Prandaj, zgjidhja është në Ministrinë e Financave, dhe me këtë rast meqë kemi një veprim të ndërmarrë nga zgjidhja, ka kaluar në Kuvendin e Kosovës dhe ne kërkojmë të mbështetet projektligji…Zgjidhjet e ofruara deri më tani janë improvizuese të cilat nuk ofrojnë tejkalim të kësaj gjendje, por vetëm e shtyn problemin për vitin e ardhshëm”, theksoi ai. 

Exit mobile version