Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë adresuar një varg kritikash ndaj Projektligjit për Këshillin Prokurorial.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se ky projektligj siguron prezencë më të fuqishme të politikës në vendimmarrjen e Këshillit Prokurorial.
“Ky projektligj veç një gjë siguron, prezencën e fuqishme të politikës në vendimmarrje në Këshillin Prokurorial. Pse po e them këtë, po e argumentojmë me fakte, neni 6 i këtij projektligji ndryshon përbërjen e Këshillit Prokurorial nga 13 anëtarë sa kanë qenë deri më tani, 10 prej tyre të propozuar nga prokuroritë dhe tre të tjerë të votuar në Kuvend dhe tash kemi zvogëlimin e tyre në shtatë. Në rregull, do të pajtohemi që të jenë shtatë, mirëpo zvogëlimi duhet të jetë proporcional dhe këtë rast, jo katër anëtarë t’i kemi nga Këshilli dhe tre të tjera nga jashtë. Akoma më keq, të kaluarën kur kemi zgjedh dy anëtarë në Kuvendin e Kosovës, njërin e kemi pas nga oda e avokatëve dhe tjetrin nga Fakulteti Juridik. Tash e keni lënë një zyrtari me pesë vjet përvojë pune të konkurrojë dhe me qenë pjesë e Këshillit Prokurorial. Kjo është vërtet degraduese”, tha ai.
Më i ashpër ishte deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, i cili tha se ky draf-projektligj është ndër dokumentet më jo profesionale.
“Ky draft që na ka ardhur neve përpara është ndër dokumentet më jo profesionale të shkruara ndonjëherë, më jo logjike dhe më kontradiktore në dispozitë prej dispozite… Kush i ka shkruar këto ose lidhje s’ka me drejtësinë ose është i shkencave të bujqësisë ndoshta, jo i kësaj fushe”, thekson ai.
Mirëpo akuzave të tyre iu kundërpërgjigj ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Kuvendi i Kosovës zgjedh gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, a është ky politizim? Jo pra nuk është politizim. Unë konsideroj se Gjykata Kushtetuese si institucion është edhe më i rëndësishme… Kuvendi nuk ka mundur që t’i zgjedh as përfaqësuesin nga Oda e Avokatëve dhe as përfaqësuesin nga shoqëria civile. Prandaj ne kemi konsideruar se nuk duhet t’i lihet institucioneve e drejta për të propozuara, duke ditur se për vite me radhë kanë pasur të drejtën dhe nuk e kanë shfrytëzuar”, tha ajo.