UBT News

​PDK bojkoton adresimin vjetor të presidentes Osmani

Partia Demokratike e Kosovës nuk do të jetë në sallë për të dëgjuar adresimin vjetor të presidentes Vjosa Osmani, i planifikuar të nisë në ora 10:00. Kjo është konfirmuar nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, që ka listuar edhe arsyet.

Tahiri tha se duke i shërbyer agjendës politike të qeverisë dhe mazhorancës, presidentja Osmani ka dështuar të shërbejë si përfaqësuese e unitetit të popullit. Ai tha se mandati i saj i deritanishëm është karakterizuar nga një numër shkeljesh dhe dështimesh.

“I. Presidentja Osmani ka përdorur instrumentet e institucionit të Presidentes për të realizuar qëllimet e pushtetit, në mënyrë të kundërligjshme dhe kundër kushtetuese, siç është rasti me shkarkimin e ish Kryetares së KQZ-së, znj. Valdete Daka, një skandal që u pasqyrua edhe në Raportin e BE-së për Vendin

II. Presidentja Osmani nuk ka arritur të lexojë në mënyrë të pavarur nga pikëpamjet e mazhorancës që e ka zgjedhur, raportet, temat dhe zhvillimet politike që janë interes i shtetit të Kosovës.

III. Presidentja Osmani ka manifestuar një paaftësi totale për të ushtruar rolin kushtetues, me theks të veçantë në agjendën e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës.

IV. Gjatë mandatit të deritanishëm, Presidentja Osmani nuk është parë e interesuar dhe as e angazhuar për të siguruar njohje të reja për Republikën e Kosovës, përderisa ish bashkë partiakja e saj në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka dështuar në mënyrë sistematike për t’iu kundërvënë mësymjes së Serbisë kundër shtetësisë sonë, ngjashëm siç kanë dështuar që të dyja së bashku për të konsoliduar diplomacinë dhe përfaqësimin e Kosovës në marrëdhënie diplomatike.

V. Presidentja Osmani ka dështuar të angazhohet për anëtarësimin e Kosovës në mekanizma dhe organizata ndërkombëtare.

VI. Presidentja Osmani nuk ka arritur të ndërtojë një agjendë të politikës së jashtme brenda kuadrit të kompetencave të veta kushtetuese, dhe vizitat e saj jashtë vendit kanë qenë të një karakteri periferik, pa përmbajtje, pa qëllime dhe pa rezultat.

VII. Presidentja Osmani nuk ka ndërmarrë asnjë lloj iniciativë brenda kompetencave të veta si Presidente, as në rrafshin e brendshëm dhe as në atë të jashtme.

VIII. Presidentja Osmani ka dështuar të mbrojë mediat dhe fjalën e lirë, madje duke qenë vetë protagoniste e sulmeve dhe përpjekjeve për cenimin e lirisë së mediave.

IX. Presidentja Osmani ka legjitimuar ndërhyrjet e pushtetit në institucionet e pavarura dhe deri më sot, nuk ka pasur asnjëherë mendim a qëndrim shtetëror si Presidente, ndaj çështjeve dhe temave që kanë karakterizuar degradimin e qeverisjes në kurriz të qytetarëve”, shkroi Tahiri.

Exit mobile version