Partia Demokratike e Kosovës e ka akuzuar Qeverinë Kurti për korrupsion. Sipas partisë më të madhe opozitare, Ministria e Infrastrukturës ka keqpërdorur mbi 9 milionë euro për 42 kontrata njëburimore. Përkitazi me këtë paralajmëruan kallëzime penale për secilin person të përfshirë, ndërkohë ftuan edhe Prokurorinë e Shtetit të fillojë hetimet.
Në një konferencë për medie, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se për një vit qeverisje, Ministria e Infrastrukturës ka keqpërdorur paratë e taksapaguesve përmes procedurës së shpërblimit e marrëveshjeve nën tavolinë.
“Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga zotëri Aliu dhe Durmishi gjatë kësaj periudhe kanë nënshkruar 42 kontrata njëburimore, apo kontrata të negociuara pa konkurrencë, në total vlera e tyre arrijnë mbi 9 milionë euro. Mjafton të shikojmë të kaluarën dhe është një rast i paprecedentë, nënshkrimi i një numër kaq të madh të kontratave njëburimore pa konkurrencë, shumica për punë shtesë nuk ka ndodhur në Republikën e Kosovës”, tha ai.
Ky veprim i Ministrisë së Infrastrukturës, sipas deputetes së PDK-së, Eliza Hoxha, eliminoi konkurrencën e lirë dhe diskriminoi operatorët ekonomikë.
Ndërsa anëtari i Kryesisë së PDK-së, Bernard Nikaj tha se kjo është një aferë korrupsioni e Qeverisë Kurti.
Mes tjerash u theksua se shumica e këtyre kontratave janë nënshkruar nga zëvendësministri Hysen Durmishi, derisa legjislacioni në fuqi, sipas tyre nuk e parasheh këtë.