Oda e Afarizmit të Kosovës i është drejtuar edhe njëherë me një shkresë kryeministrit të Kosovës, për të kërkuar që të punohet që Kosova të jetë pjesë e disa sistemeve elektronike të pagesave, në mënyrë që të njëjtat të jenë valide edhe në Kosovë, siç është rasti për Paypal, Cyber Source, Amazon, etj.
OAK thekson se tash e sa kohë është duke kërkuar nga institucionet që të mundësohet realizimi i pagesave ndërkombëtare përmes sistemit PayPal, e që do të kishte ndikim pozitiv tek këto të fundit.
“OAK ka pranuar disa shqetësime nga bizneset të cilat eksportojnë jashtë vendit, dhe bëjnë tregti elektronike përmes ecommerce, e të cilat kërkojnë që pagesa të realizohet përmes Paypal. Pamundësia e realizimit të kësaj të fundit po bënë që bizneset të humbin edhe klientët potencial të tyre. OAK konsideron që trajtimi me prioritet i kësaj çështje do të kishte ndikim pozitiv tek operatorët ekonomik dhe do të lehtësonte realizimin e pagesave ndërkombëtare. Kjo kërkesë po ripërsëritet me rastin e takimit të kryeministrit Kurti në Davos me bizneset, gjatë vizitës zyrtare”, thuhet në komunikatën e OAK.