Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas rastit të së hënës, kur një i paraburgosur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ka bërë vetëvrasje.
Sipas KMDLNj-së, personi që dyshohet se ndërroi jetë si pasojë e vetëvarjes në dritaren e banjos së dhomës, ka pasur probleme psikiatrike dhe ngecje në zhvillim mendor.
Me këtë rast, KMDLNj përmes një komunikate për media ka përsëritur se të burgosurit me probleme të natyrës psikike nuk duhet të mbahen në institucione korrektuese apo të paraburgimit, por duhet të vendosen në Institutin e Psikiatrisë Forenzike.
“KMDLNj rithekson se për këtë kategori duhet të ketë trajtimin e duhur dhe të garantuar me të gjitha dokumentet vendore dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut për personat e privuar nga liria, me LESP dhe me Rregullat Evropiane të Burgjeve. Mbajtja e personave me probleme të natyrës psikike në institucione korrektuese dhe të paraburgimit paraqet shkelje të të drejtave të njeriut pasi që këto institucione nuk i përmbushin kriteret e duhura për mbajtjen dhe trajtimin e kësaj kategorie”, thuhet në komunikatë.
Sipas informatave të KMDLNj-së, problemet psikike dhe ngecjet në zhvillim mendor tek i njëjti janë vërejtur që në pranimin e tij në Qendrën e Paraburgimit.
“Më datë 06.12.2021 , rreth orës 14:30, në dhomën e tij në banjo, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren është vetëvarur i paraburgosuri, F. I. Mjekët e NjShB kanë filluar reanimimin e menjëhershëm dhe në ndihmë kanë ardhur edhe Ekipa e Emergjencës së Prizrenit por reanimimi ka rezultuar pa sukses, me çka është konstatuar vdekja e pacientit rreth orës 14:47. F.I. ishte i lindur në vitin 1987. Në QP në Prizren ka ardhur me datë 11.09.2021. Në pranim është vërejtur se i paraburgosurit ka pasur probleme psikiatrike dhe ngecje në zhvillim mendor”, thuhet po aty.
Sipas KMDLNj-s edhe Instituti i Forenzikës Psikiatrike në Prishtinë ka kapacitete të ulëta për vendosjen e personave të privuar nga liria, për çka thekson se duhet të ndërmerren masa.
Këshilli për për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut i ka dalë në mbrojtje edhe stafit përgjegjës, pas njoftimit të djeshëm për suspendimin e këtyre të fundit.
“Në çastin e privimit nga liria , shteti përmes institucioneve përkatëse merr përgjegjësinë për shëndetin dhe jetën e të burgosurit apo të dënuarit. Në rastin e vetëvarjes së të paraburgosurit F.I. të gjithë po merren me pasojat ndërsa ka dështuar mekanizmi parandalues, dërgimi në institucionin shëndetësor që do të kujdesej për shëndetin e të paraburgosurit. Të gjithë ata që e njohin arkitekturën e brendshme të Qendrës së Paraburgimit në Prizren ku banjat janë ndara nga pjesa tjetër e dhomës e kanë të qartë se oficerët nuk mund të mbahen përgjegjës prandaj KMDLNj vlerëson se ky suspendim nuk ka bazë ligjore aq më parë që kanë dështuar mekanizmat parandalues. KMDLNj i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes së të ndjerit F.I. dhe kërkon që rastet e ngjashme të trajtohen me prioritet”, thuhet në komunikatë.