Dy ditë pas tragjedisë në Prishtinë, ku një i ri humbi jetën dhe një grua u lëndua rëndë si pasojë e goditjes nga një dru, Komuna ka ndërmarrë disa veprime për të parandaluar rreziqe të tjera.
Sipas njoftimit të komunës, ekipet sot kanë dalë në terren për të identifikuar dhe eliminuar drunjtë e dëmtuar që paraqesin rrezik për qytetarët.
“Komuna e Prishtinës nëpërmjet Hortikulturës dhe Organit Mbikëqyrës është në proces të vazhdueshëm të identifikimit dhe eliminimit të drunjve të dëmtuar të cilët paraqesin rrezik potencial si rezultat i kushteve të rënda atmosferike, si dhe krasitjes së disa prej tyre për të evituar rrezikun nga kabllot e rrymës. Deri tash është bërë realizimi i prerjeve dhe krasitjeve në rrugët ‘Abedin Rexha’ dhe në ‘Parkun e Qytetit’”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur po ashtu se Komuna planifikon që njëjtë të veprojë edhe në Taukbahqe, në rrugët “Simon Shiroka” në qendër të qytetit dhe “Jonuz Zejnullahu”, si dhe në vende të tjera ku mund të paraqesin rrezik për qytetarët.