UBT News

​Parlamenti Evropian miraton huan prej 18.7 miliardë dollarësh për Ukrainën

Parlamenti Evropian të enjten mbështeti propozimin e Komisionit Evropian për t’i dhënë Ukrainës 18 miliardë euro (18.7 miliardë dollarë) në vitin 2023.

Gjatë seancës plenare të Strasburgut, eurodeputetët votuan pro propozimit me 507 vota kundër 38 dhe 26 abstenime për mbështetjen e Ukrainës kundër luftës së Rusisë.

“Paratë do të shkojnë për mbështetjen e shërbimeve thelbësore publike – të tilla si drejtimi i spitaleve, shkollave dhe sigurimi i strehimit për njerëzit e zhvendosur – stabiliteti makroekonomik dhe restaurimi i infrastrukturës kritike të shkatërruar nga Rusia, sipas propozimit të Komisionit”, thuhet në deklaratën e parlamentit.

Huaja e cila është e kushtëzuar për Ukrainën kërkon reforma për të forcuar institucionet e vendit dhe për ta përgatitur atë si për rindërtim ashtu edhe për rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, shtohet në deklaratë.

Pas votimit, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola tha se Ukraina po lufton për vlerat evropiane.

“Parlamenti Evropian dhe Bashkimi Evropian kanë treguar solidaritet të jashtëzakonshëm me Ukrainën në frontin humanitar, ushtarak dhe financiar. Është e rëndësishme, ne i kemi dhënë Ukrainës statusin e kandidatit për në BE”, tha ajo.

Huaja duhet të miratohet unanimisht më 6 dhjetor përpara se komisioni të mund të shfrytëzojë tregjet dhe të japë mbështetjen në fillim të vitit 2023, sipas Parlamentit Evropian.

Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, BE-ja ka dhënë 19.7 miliardë euro për të mbështetur Ukrainën./AA

Exit mobile version