Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK) ka paralajmëruar veprime sindikale në rast se Qeveria nuk i pret në takim për t’i dialoguar shqetësimet e ngritura nga punëtorët e arsimit.
Nëpërmjet një komunikate për media, SBAShK-u thotë se edhe përkundër kërkesave për të takuar ministrat e Qeverisë Kurti, atë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe të Ekonomisë, Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati.
“Mirëpo gatishmëria e Qeverisë për takime e dialog deri tani ka munguar dhe nëse Kryeministri Kurti, ministri Murati e mbase edhe ministrja Nagavci vazhdojnë të arsyetohen se kanë agjenda të ngjeshura dhe i ikin takimeve e dialogut me SBAShK-un për çështjet dhe shqetësimet e ngritura nga punëtorët e sektorit të arsimit e kulturës, atëherë mund të vi deri të kërkesa e anëtarësisë për veprime sindikale, duke nisur mbase me kundërshtimin për zgjatjen e vitit shkollor dhe kërkesa të tjera, të cilat organet udhëheqëse të SBASHK-ut do t’i zbatojnë në përpikëri, por përgjegjësinë për gjendjen që do të krijohet do ta kenë ata që po i ikin takimeve dhe dialogut”, thuhet në reagimin e SBAShK.
Tutje thuhet se “SBASHK-u ka bërë përpjekje tani e sa kohë duke dërguar shkresa zyrtare që të takohet me Kryeministrin Kurti dhe me Ministrin Murati e Ministren Nagavci me qëllim që të debatojnë për gjithë çështjet e ngritura nga punëtorët e tërë sektorit të arsimit dhe të gjejmë zgjidhje të pranueshme përmes dialogut të mirëfilltë. Kujtojmë se Qeveria, edhe përkundër agjendave të ngjeshura, duhet të gjej kohë të takohet e të dëgjojë shqetësimet e punëtorëve të njërit prej sektorëve më të rëndësishëm dhe të SBASHK-ut si sindikata me madhe numerikisht dhe më e fuqishmja për nga angazhimet dhe aktivitetet. Kryeministri Kurti dhe Ministri Murati nuk i janë përgjigjur kërkesave të SBASHK-ut për takime e për dialog e kohëve të fundit sikur edhe Ministrja Nagavci po zgjedh të njëjtën mënyrë dhe merr vendime aty për aty e pa u konsultuar e pa pasur dialog me SBASHK-un si përfaqësuesin e vetëm të të punësuarve që nga çerdhet e deri edhe në Universitetet e Kosovës dhe në sektorin e kulturës”.
SBAShK kërkon që Kurti, Murati e Ngavci të gjejnë zgjedhje meritore për shqetësimet që kanë ngritur siç thuhet në komunikatë, punëtorët e arsimit.
“Kryeministri Kurti, ministri Murati dhe Ministrja Nagavci le ta dinë se punëtorët e arsimit kanë ngritur shumë shqetësime dhe ato i kanë adresuar përmes përfaqësuesve të tyre në organet udhëheqëse të SBASHK-ut e të cilat janë të obliguara të angazhohen për gjetjen e zgjedhjes meritore për to dhe do të ishte mirë që kjo të bëhet me dialog. SBAShK-u në kërkesat zyrtare drejtuar Kryeministrit Kurti, ministrit Murati dhe ministres Nagavci u ka shpjeguar edhe çështjet që duhet debatuar sepse janë kërkesa të punëtorëve të arsimit e kulturës”, thuhet në njoftimin e SBAShK-ut.