Është e rëndësishëm që gratë të përfshihen në të gjitha proceset vendimmarrëse që lidhen me pandeminë, e cila sipas statistikave ka paraqitur vështirësi shumë më të mëdha për gratë sesa për burrat. Kështu u theksua në Ditën e Hapur Globale të Kombeve të Bashkuara për gratë, paqen dhe sigurinë në Kosovë. Aty u tha se femrat në mbarë botën, edhe në Kosovë, kanë qenë në ballë të reagimeve si punëtore shëndetësore dhe duke u marrë me pasojat e pandemisë por që të njëjtat kanë qenë të përjashtuara nga proceset vendimmarrëse.
Koordinatorja për zhvillim në zyrën e OKB-së në Kosovë, Ulrica Richardson tha se është tejet e rëndësishme që gratë të jenë të përfshira në çdo proces vendimmarrës për pandeminë. Ajo tha se kriza nga pandemia nuk ka ndikuar vetëm të gratë që janë pjesë e stafit shëndetësor apo nëna, por ato kanë pasur presion edhe në punë nëpër kompanitë të cilat i kanë udhëhequr.
“Statistikat tregojnë qartë se ato janë drejtpërdrejt dhe jo proporcionalisht të ndikuara në krahasim me meshkujt. Pronaret e bizneseve kanë më pak vetëbesim për t’iu rikthyer bizneseve dhe për tu rikuperuar nga humbjet që i kanë përjetuar, kanë besim më të vogël se homologët e tyre. Gratë nuk e dinë ku mund të fitojnë mbështetjen sa i përket mbështetjes ekonomike pas Covidit por gjithashtu edhe si temat që janë zbuluar siç është dhuna gjinore. Akoma ekziston dyshimi te disa gra se ku mund të drejtohen për të fituar mbështetjen”, tha ajo.
Udhëheqësja e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, Edi Gusia tha se efekti i Covid-19 ka qenë më i fuqishëm te gratë, për arsye të normave kulturore që vazhdojnë të jenë ku barrën e familjes e bartë më shumë gruaja.
Megjithatë, ajo tha se Qeveria e Kosovës ka pasur reagim të vëmendshëm në kujdesin ndaj grave, marrë parasysh faktin që në kohën e kulmit të pandemisë dhuna në familje ishte rritur dukshëm.
“Për gratë që udhëheqin biznese të vogla, nga Agjencia për Barazi Gjinore janë ndarë diku për 273 biznese t vogla janë ndarë 207 mijë euro. Në këtë mënyrë, Agjencia për Barazi Gjinore përmes fondeve të qeverisë arriti që në fondin e rimëkëmbjes ekonomike së paku të amortizojë ndikimin që kishte Covidi në të bërit biznes sepse siç e tha edhe zonja Richardson, është parë se gratë shumë më vështirë rikthehen në biznes dhe kjo ka edhe arsyet e veta, sepse ato kryesisht udhëheqin biznese të vogla familjare ku punësojnë shumë pak punëtorë, pro të jemi të sinqertë, edhe shkathtësitë e tyre për të aplikuar për fonde, për të kërkuar ndihmën janë relativisht më të ulëta sepse të burrave, sepse burrat kanë një praktikë të bashkëpunimit, të kërkimit të fondeve edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë janë më të zëshëm”, tha ajo.
E Adelina Berisha nga Rrjeti i Grupit të Grave bëri thirrje që gratë të përfshihen në proceset vendimmarrëse.
“Çka ne gjithmonë kemi bërë thirrje dhe vazhdojmë të bëjmë thirrje që na kërkohet edhe prej ligjit për barazi gjinore, çdo proces vendimmarrës duhet të përfshijë gratë, prandaj do të duhej që kjo të jetë thirrje si në nivelin lokal edhe qendror, qoftë përmes organizatave të grave direkt të cilat i paraqesin nevojat dhe interesat e grave, qoftë përmes shfrytëzimit të organizatave të grave si urë lidhëse me gratë dhe institucionet, të shfrytëzohen të gjitha këto dhe kontributi ynë të vazhdojë të shkojë në rrugën e drejt”, tha ajo.
Ndërsa drejtori i Qendrës për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime, Kadri Gashi tha se për të parandaluar dhunën dhe arritur barazinë gjinore duhet të punohet më shumë me gjeneratat e reja.
“Duhet me bë më tepër sa i përket barazisë gjinore dhe parandalimit të dhunës, me fillua me punua me gjenerata të hershme me këshillim të hershëm sepse kjo ndihmon familjen, ndihmon shoqërinë që të kemi më pak raste dhe më shumë djem dhe vajza të informuar sa i përket këshillimit të hershëm dhe dukurive negative Pastaj të pjesa e barazisë gjinore ne mendojmë nëse intervenojmë herët me grup mosha të hershme sidomos me kopshte, suksesi do të jetë shumë i mirë dhe nuk do të na vjen puna me punua me këta kaq të vjetër sepse kosto dhe energjia është shumë me madhe sesa e mendojmë”, tha ai.
Për avancimin e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje gjatë pandemisë u diskutua përmes platformës ‘Zoom’, dhe me qëllim të tërheqjes së vëmendjes për rëndësinë e kontributit të grave gjatë pandemisë, dhe rëndësinë e rolit të tyre për rimëkëmbje më të mirë nga pandemia.