Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor deklaroi sot se vendi i tij mbështet perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe theksoi se në dritën e paqes dhe stabilitetit, liderët në rajon duhet të kujdesen që të mos përkeqësojnë situatën me veprimet dhe deklaratat.
Ai këto komente i bëri sot pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Vipava të Sllovenisë, ku tha se që nga fillimi i luftës në Ukrainë, situata në Ballkanin Perëndimor ka qenë më e ndjeshme.
“E ftova atë (Vuçiq) të shkëmbejë mendime mbi situatën në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë, të gjitha me synimin për të mbrojtur paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, u tha Pahor gazetarëve.
Pahor tha se në takim kanë biseduar edhe për luftën në Ukrainë.
“Është përgjegjësi e madhe e shtetarëve të forcojnë ekonominë me veprimet e tyre, të ruajnë paqen dhe stabilitetin. Kjo është e rëndësishme edhe për integrimin evropian të rajonit”, tha Pahor.
Pahor siguroi gjithashtu se Sllovenia mbetet mbështetëse e përshpejtimit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, veçanërisht në një kohë kur kjo është bërë një çështje gjeopolitike, pasi kjo do të kontribuojë për paqen dhe sigurinë, njofton Zyra e Presidentit slloven.
Ai vlerësoi se procesi ishte shumë i ngadaltë, gjë që po forcon edhe një herë politikat e nacionalizmit dhe ndryshimet kufitare që kërcënojnë paqen dhe sigurinë.
Serbia, e cila konsiderohet një aleate tradicionale e Rusisë, është kritikuar nga Perëndimi për dështimin për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë. Vuçiq ka deklaruar se nuk e ka ndërmend ta bëjë këtë në të ardhmen.
Ndërkohë, në Perëndim po rritet frika se armatimet e Kinës dhe Rusisë mund të kërcënojnë një paqe tashmë të brishtë në Ballkan, veçanërisht në Kosovë, të cilën Serbia nuk e njeh si shtet të pavarur, transmeton mediumi slloven 24ur.com.