Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka deklaruar se insitutcionet e Kosovës duhet të kërkojnë sqarime lidhur me deklaratat e ish-senatorit Dick Marty, pas deklarimeve të këtij të fundit se ka qenë cak i një atentati nga shërbimi sekret serb. Ndërkohë që konsideron se i njëjti do të duhet të ftohej si dëshmitar nga Gjykata Speciale.
Uushtruesi i detyrës të OVL-së të UÇK-së, Faton Klinaku, në një konferencë për media tha se nuk është hera e parë që Serbia është munduar që t’ua mveshë shqiptarëve të gjitha të këqijat që i bën vet. Ai u ka bërë thirrje autoriteteve të shtetit të Kosovës të mos heshtin dhe t’a ngrisin në instanca ndërkombëtare deklarimet e ish-raportuesit në Këshillin e Evropës, Dick Marty, se është kërcënuar me vrasje nga shërbimi sekret serb, i cilii synonte të fajësonte shqiptarët për këtë.
“Raportin e Dick Martyt që në vazhdimisht si organizatë kemi pas kundërshtu qysh në vitin 2011… Në atë kohë institucionet tona qoftë këtu, qoftë në Shqipëri e kanë kundërshtuar, sepse e kanë quajtur që janë trillime më shumë dhe ka pas hetime qysh në kohën e UMNIK-ut… S’është hera e parë që Serbia është munduar që t’ua mveshë shqiptarëve të gjitha të këqijat që i ka bërë. Kanë ndodh shumë ngjarje tjera, si rasti ‘Panda’ që i ka vrarë fëmijët Serbia dhe është munduar t’ua mveshë pjesëtarëve të UÇK-së, është edhe rasti i Martinoviqit me shishen e famshme që gjoja shqiptarët e paskan dhunuar. Serbia si shtet e pushtues vazhdimisht ka bërë këso inskenime e ngjarje dhe është munduar gjithmonë t’ua mveshë shqiptarëve. Shteti i Kosovës konsiderojmë që s’do të duhej të heshte, qoftë Qeveria, Kuvendi apo Presidenca. Sidomos tash, kur gjoja po kërcënohet nga sigurimi shtetëror serb, por edhe nëse kërcënohet, shteti jonë do të duhej që në takime të vazhdueshme me organizmat ndërkombëtarë ta ngritë edhe si çështje sepse është luftë kundër Kosovës dhe UÇK-së”, ka thënë Klinaku.
Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, tha se nuk është bërë asnjë hetim në përputhje me kërkesat e organizatave të dala nga lufta. Derisa ka shtuar se Kosova përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme është dashur të kërkojë sqarime shtesë nga Parlamenti Evropian rreth akuzave të Dick Martyt për të ashtuquajturën “shtëpia e verdhë”.
“Nuk është bërë asnjë hetim në përputhje me kërkesat e organizatave të dala nga lufta… Mendoj se me deklarimet e fundit të Dick Martyt, Parlamenti është dashur që përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme, përmes diplomacisë së kësaj ministrie të kërkojë nga Parlamenti Evropian për ish-deputetin Dick Marty dhe të sqarohen deri në fund pretendimet e tij ndaj “shtëpisë së verdhë”… Gjykata Speciale është dashur ta ftojë si dëshmitar Dick Martyn dhe të sqaroj nga kush është paguar dhe si kanë rrjedhë të gjithë ato pretendime sepse ne e dimë që Parlamenti Evropian, Evropa e asaj kohe edhe e kësaj e ka stimuluar një deputet që të krijojë bashkëpunim me Serbinë… Liderët dhe ata që organizuan luftën e UÇK-së padrejtësisht po qëndrojnë në Hagë në një gjykatë të cilën ne si organizata të dala nga lufta nuk e njohim”, tha Jashari.