Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do t’i bashkohet të mërkurën protestës së organizuar për të kundërshtuar vizitën e Ekaterina Trendafilovës.
Kështu ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së kryetarit të kësaj organizate, Faton Klinaku. Përmes një postimi në Facebook, Klinaku tha se roli i secilit gjykatës, e aq më pak roli i kryetares, nuk është që të edukojë shoqërinë civile e mediat.
“Roli i secilit gjykatës, e aq më pak roli i kryetares së një Gjykate (në këtë rast pseudogjykatës speciale), nuk është që të edukoi shoqërinë civile e mediat.
– Shoqëria jonë civile është mjaftueshëm e edukuar për të kuptuar se çfarë po ndodh me gjykimet politike në Hagë;
– Shoqëria jonë civile është mjaftueshëm e edukuar për të kuptuar se njerëzit mbahen pengje që dy vite në paraburgim atje;
– Shoqëria jonë civile është mjaftueshëm e edukuar për të kuptuar se nuk po gjykohen krimet dhe masakrat e pushtuesit, por përkundrazi po përdoren shpifjet e tyre për ta gjykuar UÇK-në.
Prandaj, edhe për shumë arsye të tjera, mbështesim dhe marrim pjesë në protestën e organizuar më 21.09.2022 (e mërkurë), ora 10:00, Hotel “Astoria”, Gjilan, për të kundërshtuar vizitën e znj. Ekaterina Trendafilova”, thuhet në njoftim.