UBT News

​Osmani udhëtoi për në Bruksel, nesër takohet me shefin e NATO-s

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Bruksel për vizitë zyrtare në selinë e NATO-s.

Të enjten, Osmani do të pritet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin do të realizojë takim bilateral në orën 14:00.

Pas përfundimit të takimit, do t’i adresohen gazetarëve në një konferencë të përbashkët për media.

Presidenca ka njoftuar se gjatë vizitës zyrtare në NATO, Osmani do të ketë takim edhe me kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Rob Bauer si dhe do të realizojë takime me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në NATO, Julianne Smith, dhe me përfaqësues të shteteve të tjera aleate.

“Përgjatë vizitës, Presidentja Osmani do të riafirmojë vendosmërinë e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për avancimin e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, duke filluar me programin e Partneritetit për Paqe, forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit me aleatë, në veçanti për çështje të sigurisë, mirënjohjen e popullit të Kosovës për rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, si dhe përkushtimin për kontribut të përbashkët për paqe, stabilitet dhe siguri afatgjate në rajonin tonë”, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.

Exit mobile version