UBT News

​Osmani thotë se duhet shikuar nëse po respektohen të drejtat e të akuzuarve në Hagë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se institucionet e vendit duhet të diskutojnë dhe të shohin nëse po respektohen të drejtat e njeriut në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

E para e shtetit ka folur në një konferencë me presidentin Ilir Meta ku ndër të tjera i ka quajtur thashetheme pretendimet për trafikim organesh, të përmendura në raportin e senatorit zviceran Dick Marty, raport ky i miratuar pastaj në Këshillin e Evropës.

“Unë besoj që do të ulemi dhe do të diskutojmë me institucionet në radhë të parë se si mund të bëjmë çmos që ligjet që i ka miratuar vetë Kuvendi i Kosovës, që amendamentet kushtetuese që i ka miratuar vetë Kuvendi i Kosovës me dy të tretat e votave, të shohim sa po zbatohen edhe sa i përket mbrojtjes së të drejtave të akuzuarve me këtë rast, sepse kemi të bëjmë me një kontekst të lirive dhe të drejtave themelore të cilat janë pjesë e Kushtetutës sonë dhe të cilat i ka marrë përsipër t’i zbatojë edhe vet gjykata speciale”, ka thënë Osmani.

Presidentja e vendit ka thënë se edhe amendamentet dhe ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës kanë për bazë kapituj të tërë të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut të cilat sipas saj Kosova duhet të sigurohet se nuk po shkelen.

Ndërsa më të rëndësishme se vizita në Hagë, sipas Osmanit janë bashkëpunimi dhe sigurimi i mbrojtjes së nevojshme për të akuzuarit.

Javë më parë ish-krerët e UÇK-së i ka vizituar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i cili ka adresuar kritika për mënyrën e funksionimit të Gjykatës Speciale duke theksuar se e njëjta është e mbyllur dhe nuk i jep llogari askujt. Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po përballen me akuza për krime lufte ndërsa në paraqitjet e para të turpit gjykues ata janë deklaruar të pafajshëm. 

Exit mobile version