Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Serbia po kërcënon me dhunë për shkak se Kosova po e zbaton ligjin. Derisa është përgjigjur për çështjen e konvertimit të targave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës, Osmani ka thënë se Kosova po e zbaton ligjin derisa ka shtuar që do të punojnë me të gjithë partnerët që të mos lejojnë skenarë rusë në Ballkanin Perëndimor.
E para e shtetit ka thënë se Kosova po i mbron të gjithë qytetarët pa dallim dhe si rezultat i kësaj Serbia po kërcënon me barrikada.
“Serbia është shtet që kërcënon me masa antiligjore pse Kosova po e zbaton ligjin, krejt kjo shpjegon gjithçka, pra Serbia kërcënon me dhunë pse Kosova po zbaton ligjin, pse Kosova po sigurohet për sundim të ligjit, kjo është ajo piktura e madhe që ne vazhdimisht insistojmë që të gjithë ta shohin, që është mbi të gjitha çështje e zbatimi të ligjit, çështje e respektimit të parimeve dhe standardeve evropiane e ndërkombëtare, të cilat Kosova po i respekton. E tëra që ne po bëjmë është se po e zbatojmë ligjin dhe po i mbrojmë qytetarët tanë pa dallim, dhe si rezultat i kësaj Serbia po kërcënon me dhunë dhe barrikada të cilat siç e dini janë shkelje e së drejtës së lirisë së lëvizjes”, tha Osmani pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian.
Presidentja tha se e gjithë puna e institucioneve të Kosovës është në koordinim të plotë me partnerët në mbrojtje të paqes, stabilitetit dhe demokracisë.
“Ne do të punojmë bashkërisht me të gjithë partnerët tanë që të mos lejojmë që këto skenare ruse të kenë vend në Ballkanin Perëndimor dhe të mos lejojmë që përderisa Serbia ka zgjedhur të vallëzojë me melodinë e Putinit që të kenë rezultate në tensionin dhe destabilizimin e rajonin tonë. E gjithë puna jonë është në koordinim të plotë me partnerët dhe aleatët tanë që ta mbrojmë paqen, stabilitetin, ta mbrojmë demokracinë e arritur, por mbi të gjitha të sigurojmë sundim të ligjit dhe barazi para ligjit për gjithë qytetarët tanë pa dallim etnie apo të ndonjë background”, tha Osmani.
Osmani tha se serbët në Kosovë të cilët ende nuk i kanë konvertuar targat nuk e kanë bërë këtë për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme që marrin nga strukturat ilegale kriminale.
Ajo tha se lufta e institucioneve të Kosovës është kundër bandave dhe për këtë tha se presin që të kenë përkrahje nga aleatët.
Lidhur me propozimin franko-gjerman, presidentja tha se kjo iniciativë do t’i shpjegohet lidershipit të Kosovës në detaje gjatë javëve dhe muajve në vijim.
“Do të ketë takime të institucioneve të Republikës së Kosovës, natyrisht nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian edhe me palën gjermane edhe palën franceze në mënyrë që detajet e kësaj iniciative që ka për qëllim intensifikimin e procesit të dialogut, ka për qëllim paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, të shpjegohen më në detaje. Sapo të merren të gjitha përgjigjet natyrisht që ne ato përgjigje do t’i shpalosim para qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.