UBT News

​Osmani: Serbia kishte qëllim aneksimin e veriut, komuniteti euroatlantik të ndërmarrë masa

Nëse komuniteti euroatlantik nuk e sanksionon Serbinë e njëjta do të ndjehet më e fuqishme për të vazhduar sulme të tjera kundër Kosovës, ka thënë presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Gjatë vizitës zyrtare në Kroaci, derisa ka folur për agresionin e 24 shtatorit, Osmani ka thënë se provat e mbledhura kanë dëshmuar që qëllimi i Serbisë ka qenë aneksimi i veriut të Kosovës.

Në një konferencë për media të mbajtur me homologun e saj kroat, Osmani ka thënë se Kosova në periudhën e fundit po përballet me një prej situatave më të rënda në 25 vjetët e fundit shkaku i veprimeve hibride nëpërmjet aktiviteteve terroriste dhe agresionit të sponsorizuar dhe urdhëruar nga Serbia.

Ajo ka thënë se shpreson që “partnerët tanë ndërkombëtar do të dëshmojnë qartësi strategjike dhe veprime të vendosura për ta ndaluar përpjekjen e Serbisë për destabilizim jo vetëm të Kosovës por të gjithë rajonit”.

“Pas aktit të agresionit të 24 shtatorit fokusi duhet të jetë te vënia e të gjithë autorëve të këtij akti para drejtësisë së Republikës së Kosovës, marrja e garancive të forta të sigurisë sidomos për ta ruajtur kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe frenimi i Serbisë, sanksionimi i Serbisë, për veprimet e saj si masë parandaluese për sulme të tjera në të ardhmen. Nëse nuk ndërmerren masa nga komuniteti euroatlantik, Serbia do të ndjehet më e fuqishme më e inkurajuar nga mosndëshkimi, për të vazhduar me akte të tjera dhe sulme të tjera kundër Kosovës, me qëllimin përfundimtar, atë që është dëshmuar në fakt me të gjitha provat që kemi mbledhur më 24 shtator, që ka qenë aneksimi i veriut të Kosovës. Përkundër këtyre veprimeve armiqësore të Serbisë, më lejoni ta ritheksoj, Kosova mbetët e palëkundur në vizionin e saj, në përpjekjet e saj dhe në veprimet e saj për të pasur raporte të mira fqinjësore me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Osmani.

Osmani ka folur për provat që dëshmojnë përfshirjen e shtetit serb në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku i vrarë mbeti rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Çështja e tretë që e lidhë drejtpërdrejt dhe më së fuqishmi shtetin serb me aktin e agresionit të 24 shtatorit janë armët që janë konfiskuar atë ditë. Edhe armët janë kontrabanduar që një periudhë disa mujore në Kosovë nëpërmjet rrugëve ilegale në veri të vendit, duke përdorur automjete të blinduara me shënime të falsifikuara të KFOR-it. Automjetet e blinduara i kanë takuar armatës serbe ushtrisë serbe por u kanë vënë atyre shënime apo emra të KFOR-it, lloj-lloj uniformash, me flamuj të shteteve anëtare të KFOR-it, dhe kanë futur në mënyrë ilegale armatim në Kosovë, por armatimi më i madh është futur me 24 shtator bashkë me grupin prej afërisht 100 terroristësh që kanë hyrë në ato momentet e para të mëngjesit të 24 shtatorit, dhe nga ajo çka kemi konfiskuar dëshmohet që shumica dërrmuese e armatimit është prodhuar në industrinë ushtarake serbe, ku shteti ka kujdestarinë dhe pronësinë e vetme mbi armatimin”, ka thënë Osmani.

Exit mobile version