Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se kërcënimet nga Rusia dhe aleati i saj Serbia paraqesin rrezik për rajonin ballkanik.
Në konferencën për medie me presidentin letonez, Egils Levits, presidentja Osmani kërkoi mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Kam kërkuar mbështetje në rrugëtimin tonë drejt integrimit euroatlantik. Këto aleanca duhet t’i kenë dyert e hapura për shtetet si Kosova”, tha ajo.
Osmani foli edhe për dështimin e arritjes së marrëveshjes për targa të automjeteve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Serbia nuk po i pranon standardet evropiane. Kosova ka dhënë maksimumin për te arritur një marrëveshje, ashtu siç ka kërkuar edhe BE-ja. Në ditët në vijim do të ketë akoma përpjekje për të arritur një marrëveshje”, tha ajo.